Botë

Talebanët kërkojnë mbështetje ndërkombëtare pas tërmetit

Talebanët në Afganistan kanë bërë thirrje për mbështetje ndërkombëtare, pasi vendi po përballet me pasojat e një tërmeti shkatërrues me magnitudë 6.1 ballë.

Më shumë se 1000 njerëz janë vrarë dhe të paktën 1500 janë plagosur. Ndërkaq nuk dihet ende për numrin e atyre që kanë mbetur nën rrënoja.

Provinca juglindore Paktika është goditur më së shumti dhe OKB-ja po përpiqet të sigurojë strehim emergjent dhe ndihmë ushqimore.

Përpjekjet e shpëtimit po pengohen nga reshjet e dendura të shiut dhe munda e burimeve.

Tërmeti më vdekjeprurës që goditi vendin në dy dekada është një sfidë e madhe për talebanët, lëvizjen islamike e cila e rifitoi pushtetin vitin e kaluar pas rënies së qeverisë së mbështetur nga perëndimi.

Tërmeti goditi rreth 44 km nga qyteti i Khostit dhe lëkundjet u ndjenë deri në Pakistan dhe Indi, shkruan BBC.

Afganistani është në mes të një krize humanitare dhe ekonomike dhe Abdul Qahar Balkhi, një zyrtar i lartë i talebanëve tha se qeveria ishte “e paaftë financiarisht të ndihmojë njerëzit në masën që është e nevojshme”.

Agjencitë e ndihmës, vendet fqinje dhe fuqitë botërore po ndihmojnë, tha ai, por shtoi se ndihma duhet të rritet në një masë shumë të madhe, sepse ky është një tërmet shkatërruar që nuk është përjetuar në dekada.

Kreu i Kombeve të Bashkuara, Antonoi Guterres tha se agjencia ishte e “mobilizuar plotësisht” për katastrofën. Ekipet shëndetësore, furnizimet mjekësore, ushqimi dhe strehimoret e urgjencës ishin rrugës për në zonën e tërmetit, thanë zyrtarët e OKB-së.