Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, ka paralajmëruar se Rusia mund ta ndalë furnizimin me gaz për Evropën, këtë dimër.
Birol tha se ai beson që ndërprerja e plotë nuk është skenari më i mirë, por se Evropa duhet të punojë në planet e emergjencës për çdo rast, raportoi BBC-ja të mërkurën.
Javëve të fundit, disa shtete evropiane kanë bërë të ditur se kanë pranuar më pak gaz rus. Zyrtarët rusë mohojnë se kjo është e qëllimshme dhe kanë fajësuar çështjet teknike.
Para nisjes së pushtimit të Ukrainës, Evropa importonte rreth 40% të gazit të saj natyral nga Rusia, mirëpo kjo shifër tani ka rënë në 20%.
Birol beson që reduktimi i gazit nga Rusia është “strategji” e Putinit.
“Unë nuk do ta përjashtoja që Rusia të vazhdojë të gjejë çështje të ndryshme aty-këtu, dhe të vazhdojë të gjejë justifikime për të reduktuar më tej dërgesat e gazit në Evropë dhe ndoshta edhe ta ndërpresë atë plotësisht”, tha Birol për BBC News.
Javën e kaluar rrjedha e gazit natyror përmes Nord Stream 1, një nga tubacionet kryesore nga Rusia në Evropë, punoi me vetëm 40 për qind të kapacitetit. Shumë ekspertë janë skeptikë ndaj shpjegimit rus se kjo është shkaktuar nga "çështjet teknike".