Ministri i Mjedisit dhe Burimeve Natyrore i Republikës Dominikane është vrarë në zyrën e tij nga një mik i ngushtë personal, kanë bërë të ditur zyrtarët e Republikës Dominikane.
Orlando Jorge Mera, 55 vjeç, ishte duke mbajtur një takim në momentin e sulmit. Të paktën gjashtë të shtëna janë dëgjuar, raportoi BBC të martën.
Një zëdhënës presidencial e identifikoi sulmuesin si Miguel Cruz, duke e përshkruar atë si një shok fëmijërie të ministrit.
Tani ai ndodhet në paraburgim, derisa motivi i të shtënave mbetet i paqartë.
Në një deklaratë, familja e Jorge Mera tha se ai ishte qëlluar disa herë nga një burrë me të cilin ishte shok që nga fëmijëria.
"Familja jonë e fal personin që e bëri këtë. Një nga trashëgimitë më të mëdha të Orlandos ishte të mos mbante mëri”, deklaruan ata.
Jorge Mera kishte shërbyer në administratën e presidentit aktual, Luis Abinader që kur ai u ngrit në pushtet në korrik të vitit 2020.
Në një postim në Twitter, presidenti Abinader shprehu ngushëllimet e tij për familjen e Jorge Mera dhe tha se ndjente keqardhje të thellë për vdekjen e mikut të tij të mirë.
Lamento profundamente el fallecimiento de mi buen amigo, nuestro ministro, Orlando Jorge Mera. Mis más sinceras condolencias a su esposa Patricia y a sus hijos Orlando y Patricia Victoria.
— Luis Abinader (@luisabinader) June 6, 2022
Descansa en paz, querido amigo.