Kroacia do të jetë vendi i ardhshëm që do t’i bashkohet Eurozonës, pasi Komisioni dha miratimin e tij të mërkurën, shkruan “Euronews”.
Nëse kjo masë miratohet nga Eurogrupi dhe nga Këshilli i Bashkimit Evropian në fund të këtij muaji, Kroacia mund ta miratojë euron si monedhë zyrtare nga 1 janar i vitit 2023.
Nga shtatë shtetet anëtare në shqyrtim, Kroacia është e vetmja që përmbush të gjitha kriteret e nevojshme për pranim. Këto përfshijnë përputhshmërinë e legjislacionit kombëtar me sigurimin e pavarësisë së bankës qendrore, stabilitetin e çmimeve, stabilitetin fiskal, stabilitetin e normës dhe konvergjenca e qëndrueshme.
Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, ka thënë se Kroacia së shpejti do të bëhet anëtare e Eurozonës, duke arritur kështu një nga qëllimet e saj strategjike.
"Euro do ta bëjë ekonominë kroate më të fortë dhe do të sjellë përfitime të rëndësishme për qytetarët dhe shoqërinë kroate", ka shtuar Plenkoviq në Tëitter.
Vlerësimi pozitiv i Kroacisë u mirëprit nga Komisioni Evropian. Presidentja Ursula von der Leyen, tha se miratimi i monedhës së përbashkët do ta bëjë ekonominë e Kroacisë më të fortë, duke sjellë përfitime për qytetarët e saj, bizneset dhe shoqërinë në përgjithësi. Sipas saj, miratimi i euros nga Kroacia do ta bëjë edhe euron më të fortë.
Kroacia do të bëhet anëtari i 20-të që i bashkohet Eurozonës, ndërsa i 22-ti që përdorë euron, duke përfshirë edhe dy vendet që janë jashtë kësaj zone, Kosovën dhe Malin e Zi.