Të dielën, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq njoftoi se vendi i tij ka rënë dakord për një marrëveshje të re trevjeçare për furnizimin me gaz me ofruesin shtetëror të energjisë ruse, “Gazprom”.
Lajmi erdhi në një kohë të vështirë dhe duke e bërë këtë, Vuçiqi shkaktoi “një kokëdhimbje” të re për aleancën perëndimore anti-Putin dhe, veçanërisht, për Bashkimin Evropian, shkruan CNN-i në një analizë të publikuar të mërkurën.
Në anën tjetër të kontinentit, krerët e shteteve të BE-së u zhytën në negociata rraskapitëse për një paketë të gjashtë sanksionesh kundër Moskës. Marrëveshja përfundimtare, e shpallur në orët e vona të së hënës përfshin një ndalim të pjesshëm të importeve të naftës ruse në bllok.
Por Brukseli u detyrua të bënte një përjashtim për naftën që importohet në Hungari, Sllovaki dhe Republikën Çeke nëpërmjet një tubacioni, në mënyrë që të kishte unitet brenda bllokut. Ky veprim u pa nga disa anëtarë të BE-së si një lëshim i madh.
Serbia nuk është një vend anëtar i BE-së. Ajo është pjesë e një plani të zgjerimit të BE-së që përfshin gjithashtu disa nga fqinjët e saj. BE-ja është e vendosur të zgjerohet në Lindje dhe e sheh Ballkanin Perëndimor si çelës për sigurinë evropiane - aq më tepër në ritën e pushtimit rus të Ukrainës.
Nga këto shtete ballkanike, Serbia në veçanti shihet si vendimtare për shumë arsye.
Madhësia e saj, popullsia dhe vendndodhja gjeografike e bëjnë atë një aktor kryesor në gjeopolitikën e rajonit.
Megjithatë, Serbia është gjithashtu shumë e varur nga Rusia kur bëhet fjalë për gazin. Ajo është gjithashtu ushtarakisht bashkëpunuese me Moskën. Shkurt, Serbia përfiton jashtëzakonisht shumë nga marrëdhënia e saj me Rusinë dhe edhe nëse anëtarësohet në BE, nuk do të dëshirojë t'i djegë urat e saj me Kremlinin.
Kjo krijon dy realitete të njëkohshme për BE-në që, të cilat kur vendosen pranë njëra-tjetrës janë mjaft të vështira për t'u bashkërenduar.
Derisa Serbia ka mbështetur disa rezoluta të OKB-së që dënojnë pushtimin e Ukrainës, ajo nuk e ka sanksionuar Moskën ose nuk është rreshtuar me Brukselin për sanksionet kundër Moskës, diçka që pritet prej shteteve kandidate. Marrëveshja e re për gazin rus, vlerësohet hap i shpejtuar nga disa zyrtarë të BE-së.
“Nëse përfundon, marrëveshja do të shkatërronte shpresat e atyre që panë një mundësi për të reduktuar ndikimin rus në rajon”, ka thënë Filip Ejdus, profesor në Universitetin e Beogradit.
Ejdus beson se presidenti serb do të ofrojë siguri se Serbia mbetet në rrugën e BE-së, megjithëse sipas tij, Vuçiqi pret një ofertë më të mirë nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Ejdus paralajmëroi se Vuçiqi mund të dështojë këtë herë, pasi BE-ja sipas tij, ka prioritete të tjera politike për momentin. Ai thotë se besimi mes palëve mund të dëmtohet përgjithmonë.
Nëse kjo do të thotë se bisedimet për anëtarësim do të ngecin apo se BE-ja do të ketë një qasje tjetër, mbetet për t'u parë.
Megjithatë, nuk mund të mohohet se marrëveshja për gazin ka qenë një pilulë e hidhur për diplomatët në Bruksel.
Disa shtete anëtare duan ta përshpejtojnë procesin e anëtarësimit për Ukrainën dhe mendojnë se mungesa e harmonizimit të qasjes së Serbisë me atë të BE-së karshi Rusisë, bën që vendet që duan të rreshtohen sa më shpejt që të jetë e mundur, të marrin trajtim preferencial.
Të tjerët nuk duan që Ukraina apo vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkohen fare, nga frika se do të ndryshonin ekuilibrin e BE-së, duke u dhënë shteteve të Evropës Lindore më shumë pushtet në një bllok që historikisht ka qenë i dominuar nga vendet e Evropës Perëndimore, si Gjermania dhe Franca.
E gjithë kjo mund të duket e parëndësishme në skemën e madhe të rrjedhave, ndërkohë që një luftë po zhvillohet në kontinentin evropian. Agresioni i Putinit në Ukrainë ka krijuar një mundësi që harta e sigurisë së Evropës të rivizatohet.
Bashkimi Evropian është ballafaquar me shumë vështirësi që kur ka nisur lufta në Ukrainë dhe mbajtja e 27 vendeve të saj anëtare në unitet të plotë, nuk ka qenë e lehtë për të.
Mirëpo fakti që ka ndodhur marrëveshja e Serbisë për gazin me Rusinë, në të njëjtën javë kur liderët e BE-së u takuan për t’u pajtuar për ndalimin e importit të naftës ruse, nënvizon shkallën në të cilën disa gjëra janë thjesht jashtë duarve të centralizuara të Brukselit.
Analizë e CNN