Botë

Familjet ukrainase nisin të kthehen në Kharkiv

Kharkiv  - refugjatet ukrainas

Ushtria ruse është tërhequr nga qyteti i Kharkivit para dy javësh. Kështu, civilët kanë filluar të kthehen nëpër shtëpi. Burra dhe baballarë po presin çdo ditë më të afërmit e tyre nga të cilët u ndanë shkaku i luftës

Frika nga pushtimi rus i ndau. Tani disa çifte dhe familje në Kharkiv janë ribashkuar pasi njerëzit kanë nisur të kthehen në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.

Te stacioni i trenit në Kharkiv, bashkëshortët dhe baballarët me padurim presin më të dashurit e tyre kur treni afrohet. Momentet e ribashkimit, shumica prej tyre i kanë ëndërruar në tre muajt e fundit.

Kur ushtria ruse tentoi ta merrte qytetin në fillim të pushtimit, Sasha dhe bashkëshortja qëndruan bashkë për një muaj. Pastaj, ajo u largua në perëndim të Ukrainës, teksa Sasha qëndroi për shkak të punës në një kompani interneti.

Emocionet ishin të forta kur u takuan me njëri-tjetrin.

Forcat ruse janë tërhequr nga Kharkivi para dy javësh. Tani qyteti është më i sigurt, por herë pas here dëgjohen bombardimet.

Me padurim po priste edhe Andriy. Me buqetë lulesh priste bashkëshorten Tatyana që për disa muaj qëndroi në Sllovaki.

“Këtu ende është rrezik, ka bombardime”, ka thënë shkurt Andriy, banor i Kharkivit që po priste bashkëshorten.

“Ende është rrezik, por doja të kthehesha në shtëpi. Sllovakët na kanë mirëpritur, mirëpo nuk është si në shtëpi”, ka thënë bashkëshortja e tij, Tatyana.

Ushtria ruse në ditët e fundit ka vazhduar bombardimet e Kharkivit, duke lënë të vdekur shtatë civilë dhe 17 të tjerë të plagosur. Bombardimet janë përkujtim se lufta ende nuk ka mbaruar.

Ndërkaq, në një njoftim të shtunën, regjimi rus ka bërë të ditur se porti i Mariupolit është i lirë dhe ka nisur punën. Qyteti detar i Ukrainës për tre muaj ishte i rrethuar ndërkaq, një javë më parë, ushtarët e pozicionuar në fabrikën e çelikut u dorëzuan tek ushtria ruse.

Të shtunën, Rusia ka testuar me sukses raketën hipersonike “Zircon” në një distancë prej rreth 1000 km. Raketa u lëshua nga Deti Barents dhe goditi një objektiv në Detin e Bardhë, ka bërë të ditur Ministria ruse e Mbrojtjes.

Videoja e publikuar tregon raketën duke u gjuajtur nga një anije dhe duke u ndezur në qiell në një trajektore të pjerrët. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka përshkruar “Zircon” si pjesë e një gjenerate të re të sistemeve të pakrahasueshme të armëve. Armët hipersonike mund të udhëtojnë nëntë herë më shpejt sa shpejtësia e zërit dhe Rusia ka kryer testime të mëparshme të “Zircon” nga anijet luftarake dhe nëndetëset vitin e kaluar.

Ushtria ruse ka pësuar humbje të mëdha njerëzish dhe pajisjesh gjatë pushtimit të saj tremujor të Ukrainës, të cilin ajo e quan një “operacion special”, por ajo ka vazhduar të organizojë teste të profilit të lartë të armëve për t'ia kujtuar botës aftësitë e saj në teknologjinë e raketave. Muajin e kaluar ajo testoi një raketë të re ndërkontinentale me aftësi bërthamore, “Sarmat”, e aftë për të mbajtur 10 ose më shumë koka luftarake.