Botë

842 imigrantë nga Haiti në vend të SHBA-së përfundojnë në Kubë

Një anije me më shumë se 800 haitianë, që synonte Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka përfunduar në brigjet e Kubës. Ky ishte grupi më i madh i eksodit t nga Haiti në krizë të thellë.

Zyrtarët e Kryqit të Kuq kanë bërë të ditur se 842 haitianë janë vendosur në kampin për turistë të provincës Villa Clara. Grupi arriti të martën në Villa Blanca, rreth 300 kilometra në lindje të Havanas. Në këtë grup janë 70 fëmijë dhe 97 gra.

Haitianët kanë kërkuar ndihmë pasi janë braktisur nga udhëheqësit e anijes. Për më shumë se dy muaj kanë pritur në ishullin Tortuga. Ata kanë thënë se 15 haitianë janë hedhur në det pasi nuk kanë mundur ta përballojnë urinë.

Haitianët kanë thënë se trafikantët ua kanë kërkuar nga 4 mijë dollarë për person me qëllim që t’i dërgonin në SHBA. Të martën kapiteni i anijes së bashku me ndihmësit e tij i kanë braktisur me anije të vogla.

Me bateri, haitianët kanë arritur të tërheqin vëmendjen e njerëzve në brigjet e Kubës.