Botë

Ekspertët akuzojnë Rusinë për nxitje të gjenocidit

Descriptive Text

Në një prej pjesëve më të rënda të raportit, grupi bën krahasime direkte me masakrën e Srebrenicës të vitit 1995. I bën thirrje botës që të veprojë para se të jetë shumë vonë. “Detajet e vrasjeve masive të më shumë se 7 mijë boshnjakëve myslimanë në Srebrenicë u shfaqën kur ishte shumë vonë për të parandaluar gjenocidin që ndodhi brenda ditësh. Në vitin 2022, kemi kapacitetet për t’i zbuluar me saktësi këto krime dhe të reagojmë siç duhet”

Veprimet e Rusisë në Ukrainë ofrojnë prova të mjaftueshme për të vlerësuar se Moska ka kryer gjenocid me qëllim që të shfarosë ukrainasit, thuhet në raportin e parë të pavarur ndaj akuzave për gjenocid në Ukrainë.

Raporti ligjor, i nënshkruar nga më shumë se 30 njohës dhe ekspertë të gjenocidit, u publikua të premten. Me këtë raport, ekspertët kanë akuzuar shtetin rus për shkeljen e disa neneve të Konventës për Gjenocid të Kombeve të Bashkuara. Ky raport ka tërhequr vërejtjen për rrezikun e madh nga gjenocidi në Ukrainë. Ekspertët kanë mbështetur akuzat me një listë të gjatë të shembujve të vrasjeve masive të civilëve, dëbimit të ukrainasve dhe retorikën anti-Ukrainë të përdorur nga zyrtarët rusë.

Raporti është përpiluar nga “New Lines Institute for Strategy and Policy” think-tank, me bazë në Kanada. Autorët kanë dërguar kopjet e raportit në parlamentet, qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare nëpër krejt botën.

“Ne kemi mbledhur ekspertët nga e gjithë bota të cilët kanë ekzaminuar të gjitha provat dhe erdhën në përfundim se Federata e Rusisë është përgjegjëse e plotë për shkeljen e Konventës për Gjenocid në Ukrainë”, ka thënë Azeem Ibrahim nga “New Lines Institute”. Ibrahim ka vizituar Ukrainën në muajin maj për të mbledhur prova për raportin.

“Ky është një hetim i detajuar i të gjitha provave”, ka thënë ai. “Ajo që kemi parë deri më tani është luftë gjenocidale në natyrë. Kjo është shumë e qartë”.

Nën Konventën e Kombeve të Bashkuara për Gjenocid, nënshkruesit e saj kanë obligim ligjor për të ndalur gjenocidin – dhe raporti i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të veprojë.

“Nuk kemi fare kohë, dhe besojmë se është një rrezik i madh nga gjenocidi”, ka thënë Ibrahim. “Çdo shtet nënshkrues dhe që janë 151 shtete përfshirë Rusinë, duhet të bëjë çfarëdo që mundet për të ndalur këtë. Përndryshe do të ketë shkelje të konventës”.

Në një prej pjesëve më të rënda të raportit, grupi bën krahasime direkte me masakrën e Srebrenicës të vitit 1995. I bën thirrje botës që të veprojë para se të jetë shumë vonë. “Detajet e vrasjeve masive të më shumë se 7 mijë boshnjakëve myslimanë në Srebrenicë u shfaqën kur ishte shumë vonë për të parandaluar gjenocidin që ndodhi brenda ditësh. Në vitin 2022, kemi kapacitetet për t’i zbuluar me saktësi këto krime dhe të reagojmë siç duhet”.

Raporti drejton direkt gishtin kah Moska, duke akuzuar zyrtarët e lartë rusë për orkestrimin e gjenocidit dhe ofrimit të mundësisë që edhe në të ardhmen të përsëriten rastet dhe të mohohet ekzistenca e identitetit ukrainas.

Kremlini ashpër ka kundërshtuar qëndrimin e presidentit amerikan, Joe Biden, i cili në muajin prill veprimet e Rusisë në Ukrainë i cilësoi si “gjenocid”.

Raporti i “New Lines” thotë se shteti rus po shkel nenin II dhe nenin III (c) të Konventës për Gjenocidin. Neni II i konventës thotë se gjenocidi është përpjekje për të kryer akte “me qëllim për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar”. Neni III (c) ka të bëjë me “nxitjen e drejtpërdrejtë dhe publike për të kryer gjenocid”.

Image
Raporti drejton direkt gishtin kah Moska, duke akuzuar zyrtarët e lartë rusë për orkestrimin e gjenocidit dhe ofrimit të mundësisë që edhe në të ardhmen të përsëriten rastet dhe të mohohet ekzistenca e identitetit ukrainas

Si shembuj të provave se Rusia po shkel konventën, ekspertët kanë përmendur deklaratat e përsëritura të bëra nga presidenti rus, Vladimir Putin, i cili e ka bërë të qartë se beson se Ukraina nuk ka të drejtë të ekzistojë si shtet i pavarur.

Ata gjithashtu kanë vënë në dukje gjuhën çnjerëzore të përdorur nga zyrtarët e lartë rusë për t’i përshkruar ukrainasit -- duke përfshirë fjalët “shtazore”, “vartës” dhe “ndyrësi” -- si dhe portretizimin e tyre të Ukrainës si “shtet nazist” dhe “kërcënim ekzistencial” për Rusinë.

Mirëpo, raporti shkon më tej sesa pretendimi i Rusisë që synon të kryejë gjenocid, duke akuzuar forcat ruse për kryerjen e një “modeli të mizorive të vazhdueshme dhe të përhapura kundër civilëve ukrainas kolektivisht” gjatë pushtimit.

Ai ka thënë se masakrat e mirëdokumentuara dhe ekzekutimet e përmbledhura në Bucha, Staryi Bykiv dhe në rajonet Sumy dhe Chernihiv, sulmet e qëllimshme të Rusisë mbi strehimoret, rrugët e evakuimit dhe objektet e kujdesit shëndetësor, si dhe shënjestrimi dhe bombardimi pa kriter i zonave të banuara, përdhunimet, vjedhjet e drithërave dhe dëbimet e detyruara në Rusi janë të gjitha “model gjenocidal i shkatërrimit”.

CNN-ja ka konfirmuar në mënyrë të pavarur shumë nga mizoritë e përmendura në raport.

Instituti i “New Lines” ka hetuar më parë gjenocidin ndaj Rohingyas dhe Ujgurëve në Myanmar dhe Kinë, dhe kanë publikuar raportin e parë që përcaktoi se veprimet e Kinës në Xinjiang përbënin gjenocid sipas Konventës së Gjenocidit.

Ekipi i autorëve përfshin David Scheffer, i cili luajti rol kryesor në bisedimet për themelimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare si ambasadori i parë i SHBA-së në shkallë të gjerë për çështjet e krimeve të luftës.

Ish-ambasadori i Kanadasë në OKB, Allan Rock, dhe Charles Taku, këshilltari kryesor në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për Ruandën dhe Gjykatën Speciale për Sierra Leone, ishin gjithashtu të përfshirë.

Përveç studiuesve ligjorë dhe ekspertëve të gjenocidit, ekipi i mbledhur nga “New Lines Institute” përfshin gjithashtu hetues të inteligjencës me burim të hapur dhe gjuhëtarë që ekzaminuan përgjimet dhe dëshmitë e komunikimit.