Botë

Policia e Teksasit konfirmon se vrasësi nuk u pengua nga askush

Descriptive Text

Policia e Teksasit ka konfirmuar se 18-vjeçari që vrau 19 nxënës dhe dy mësuese në shkollën fillore ka hyrë në objekt i papenguar nga askush, teksa dera e hyrjes nuk ishte e mbyllur.

Victor Escalon, drejtor rajonal i Departamentit të Teksasit, ka thënë se vrasësi Salvador Ramos nuk është penguar nga asnjë polic kur hyri në shkollën fillore “Robb” dhe hapi zjarr ndaj nxënësve të moshave 5 deri në 12-vjeçare.

“Sipas informacioneve që kam, ai hyri në shkollë në orën 11:40. Ecën disa metra dhe kalon në korridor. Pastaj hyn në një klasë, e cila ishte e hapur. Policët janë aty. Ata nuk kanë hyrë brenda për shkak të të shtënave. Kemi policë që kërkojnë përforcime shtesë”, ka thënë Escalon. Detajet e sulmit dhe reagimit të policisë janë të mjegullta, mirëpo është konfirmuar koha e arritjes së përforcimeve.

“Rreth një orë më vonë ekipi taktik i Patrullës Kufitare arrin në vendin e ngjarjes. Hyn në shkollë dhe e vret të dyshuarin”, ka shtuar ai.

Motivi i masakrës është duke u hetuar. Autoritetet në Teksas kanë deklaruar se 18-vjeçari Salvador Ramos nuk kishte të kaluar kriminale apo histori të problemeve mendore. Të enjten, dëshmitarët dhe familjarët e fëmijëve të vrarë, kanë thënë se u kishin bërë thirrje zyrtarëve policorë në vendin e ngjarjes që të ndërhynin, mirëpo ata kanë pritur përforcimet për të hyrë në shkollë. Ata kanë thënë se vrasësi deri në 40 minuta ka lëvizur nëpër hapësirat e shkollës.