Forcat ruse kanë humbur rreth 1000 tanke gjatë tre muajve luftë në Ukrainë, ka thënë një zyrtar i lartë amerikan i Mbrojtjes, ka shkruar të enjten CNN-i.
Sipas tij, ushtarët rusë kanë humbur edhe mbi 350 copë artilerie dhe dhjetëra avionë bombardues luftarakë e mbi 50 helikopterë deri tash.
Me gjithë këto humbje, SHBA-ja vlerëson se rusët kanë ende shumë asete të tyre luftarake në dorë.
“Ata kanë investuar shumë nga pajisjet dhe personeli i tyre në këtë luftë. Sikurse ukrainasit edhe rusët kanë pësuar humbje”, ka thënë ai.
Zyrtari amerikan i Mbrojtjes ka shtuar se duhet të merret parasysh që rusët kanë përparësi sa u përket numrit të aseteve në këtë luftë.