Botë

Vritet një kolonel i Gardës Revolucionare iraniane

Një kolonel i Gardës Revolucionare iraniane u vra të dielën në Teheran. Sipas raportimeve, dy sulmues të armatosur me një motoçikletë qëlluan pesë herë ndaj kolonelit Sayad Khodai në një makinë përpara shtëpisë së tij, njoftoi BBC-ja të hënën.

Deri më tash, asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin dhe kërkimet për sulmuesit janë duke vazhduar.

Ky është incidenti më i madh i sigurisë në Iran që nga viti 2020, kur u vra një shkencëtar kryesor bërthamor, thotë redaktori i BBC-së për Lindjen e Mesme, Sebastian Usher.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë një burrë të gjakosur në një makinë me rripin e sigurimit ende të lidhur.

Koloneli Khodai ishte një anëtar i lartë i forcave elitare Quds, një njësi e jashtme sekrete e Gardës Revolucionare (IRGC) që kryente operacione jashtë vendit. Shtetet e Bashkuara i akuzojnë këto forca për mbështetje të organizatave terroriste dhe se janë përgjegjëse për sulmet në të gjithë Lindjen e Mesme.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Saeed Khatibzadeh tha se koloneli u vra nga "armiqtë e betuar" të Iranit të cilët janë "agjentë terroristë të lidhur me arrogancën globale".