Botë

Shefi i Inteligjencës gjermane: Spiunazhi, në shkallë shumë të lartë

Shefi i shërbimit të brendshëm të inteligjencës i Gjermanisë ka thënë të enjten se niveli i spiunazhit është aq i lartë sa ishte gjatë Luftës të Ftohtë, ose edhe më i lartë, raportoi AP.

Thomas Haldenwang paralajmëroi edhe për rritjen e rrezikut të sabotimit në krah të luftës në Ukrainë. Gjermania ka ekspozuar një numër të spiunëve rusë që operonin atje vitet e fundit.

“Sot ne vlerësojmë se niveli i spiunazhit kundër Gjermanisë është të paktën sa niveli në Luftën e Ftohtë – nëse jo më i lartë”, tha ai.

Ai parashikoi se "në një botë armiqësish të hapura dhe sanksionesh drastike, pragu i frenimit për spiunazh, sabotim dhe ndikim të paligjshëm do të vazhdojë të bjerë".

Shërbimi inteligjent ka rritur monitorimin e aktiviteteve të grupeve ekstremiste dhe individëve që duan të vënë në pyetje legjitimitetin e shtetit në vazhdën e pandemisë dhe luftës në Ukrainë. Haldenwag tha se rreziku nga këto lëvizje ishte ngritur nga fuqi të huaja që kërkonin ta promovonin propagandën anti-qeveritare përmes dezinformimit.