Botë

Martin Shkreli lirohet nga burgu më herët

Martin Shkreli, ish-drejtuesi i firmës së barnave, i cili urdhëroi rritje dramatike të çmimit të një ilaçi që shpëton jetën, është liruar nga burgu më herët, ka konfirmuar avokati i tij, shkruan ABC News.

Shkreli, me origjinë shqiptare, ishte dënuar për mashtrime të investitorëve dhe vepra të tjera, dhe ishte dënuar me shtatë vjet burgim.

Ai u lirua të mërkurën, pasi kishte kaluar rreth pesë vjet në burg.

"Kam kënaqësinë të raportoj se Martin Shkreli është liruar nga burgu i Allenwood. As ai apo unë nuk kemi ndonjë koment shtesë në këtë moment”, ka thënë avokati mbrojtës Benjamin Brafman në një deklaratë të dhënë për ABC News.

Në vitin 2015, Shkreli rriti çmimin e Daraprim, një ilaç prej kohësh i përdorur për trajtimin e toksoplazmozës, nga 13.50 dollarë në 750 dollarë - rreth 4.000% brenda natës.

Ai hartoi gjithashtu marrëveshje furnizimi për të bllokuar konkurrentët nga ofrimi i një versioni gjenerik të ilaçit të papatentuar, i cili përdoret për të trajtuar sëmundjen parazitare te gratë shtatzëna dhe pacientët me SIDA.

Lëvizjet ishin jopopullore dhe i dhanë pseudonimin "Pharma Bro".

Shtatë shtete dhe Komisioni Federal i Tregtisë ngritën një padi për sjelljen e tij në vitin 2020, duke thënë se ai kishte shkelur ligjet shtetërore dhe federale që ndalojnë sjelljen antikonkurruese.

Vyera Pharmaceuticals, të cilën Shkreli e themeloi dhe më parë njihej si Turing Pharmaceuticals, më parë ra dakord të kthente 40 milionë dollarë.