Botë

Gjermania: Rusia qëllimshëm zgjeroi pushtimin e Ukrainës në “luftë të drithërave”

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock

Rusia qëllimisht ka vendosur të zgjerojë luftën ushtarake kundër Ukrainës në luftë të drithërave, ka thënë ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock gjatë një konference për media për të përmbledhur takimin e ministrave të jashtëm të G7 në Gjermani të shtunën.

“Veprimet e Rusisë po bëjnë që furnizimet të dështojnë, çmimet të rriten pa masë – jo vetëm në vendin tonë, por nëpër botë dhe po ashtu po rritet rreziku i një urie brutale. Nuk duhet të jemi naiv – nuk është dëm kolateral ky. Është një instrument i zgjedhur qëllimshëm në një luftë hibride që po zhvillohet tash. Rusia po e përgatit terrenin për kriza të reja në mënyrë që të dobësojë qëllimisht kohezionin ndërkombëtar kundër pushtimit rus të Ukrainës”, ka thënë Baerbock.

Rusia dhe Ukraina së bashku prodhojnë gati 30 për qind të eksporteve globale të grurit. Trupat ruse po vjedhin pajisjet bujqësore dhe mijëra tonë drithëra nga fermerët ukrainas, si dhe po shënjestrojnë me artileri vendet e magazinimit të ushqimit. Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës ka thënë javën e kaluar se afro 400 mijë tonë drithëra janë vjedhur nga trupat ruse.