2 perditesime
13:33

Gjykimi ndaj ushtarit rus rifillon më 18 maj

Gjykimi ndaj 21-vjeçarit, Vadim Shyshimarin, ushtari i parë rus i ndjekur penalisht për krime lufte në këtë konflikt, do të rifillojë në Kiev më 18 maj.

Rasti është shtyrë pas një diskutimi të shkurtër ndërmjet gjyqtarëve dhe avokatëve rreth procedurës, por, në atë fazë, data nuk ishte e qartë, raporton Sky News të premten.

Shyshimarin foli në gjykatë vetëm për të konfirmuar se ai ishte një ushtar rus, i lindur në rajonin Irkutsk të Rusisë. Ai u përshkrua në raportet e lajmeve se dukej i frikësuar gjatë paraqitjes.

Ai do të deklarohet më vonë për veprën penale të “shkeljes së ligjeve dhe normave të luftës”.

12:36

Nis gjyqi për krim lufte në Ukrainë, ushtari 21-vjeçar rus mbahet në një dhomë xhami gjatë seancës

Gjyqi ndaj një ushtari rus të akuzuar për vrasjen e një civili ukrainas ka nisur të premten në Kiev.

Ky është gjyqi i parë për krime lufte që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, raporton Associated Press.

Dhjetëra gazetarë ndodhen në një sallë të vogël gjyqi në kryeqytetin ukrainas, ku i dyshuari u shfaq në një kafaz të vogël xhami, rast ky që ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare mes akuzave për mizori të përsëritura nga forcat ruse.

I akuzuari Vadim Shyshimarin, 21 vjeç, akuzohet se ka qëlluar në kokë një 62-vjeçar ukrainas në fshatin verilindor të Chupakhivka. Ai mund të marrë dënim deri në burgim të përjetshëm.

Vrasja ndodhi në ditët e para të luftës, kur tanket ruse që përparonin në Kiev u mposhtën dhe ekuipazhi i tankeve u tërhoq.

Shyshimarin, një anëtar i një njësie tankesh që u kap nga forcat ukrainase, pranoi se ai qëlloi civilin në një video të postuar nga Shërbimi i Sigurimit të Ukrainës.

"Më urdhëruan të qëlloja. Unë qëllova drejt tij. Ai ra. Dhe ne vazhduam përpara”, ka thënë Shyshimarin për vrasjen e 28 shkurtit.

Gjyqi vjen ndërsa fushata e Rusisë për të pushtuar lindjen e Ukrainës po vazhdon ngadalë – por pushtimi i saj ka rezultuar në pasoja të përhapura përtej fushëbetejës.

Image
09:49

Ushtari i parë rus do të dalë sot në gjyq për krime lufte

Një ushtar rus do të dalë të premten në gjyq për vrasjen e dyshuar të një civili ukrainas të paarmatosur.

Ky është rasti i parë i krimit të luftës që shkon në gjykatë që nga fillimi i pushtimit rus, raporton Associated Press të premten.

Vadim Shyshimarin akuzohet se ka qëlluar në kokë një 62-vjeçar përmes një dritareje të hapur veture, në fshatin verilindor Chupakhivka.

Ai përballet me burgim të përjetshëm sipas dënimeve të përcaktuara në seksionin e kodit penal të Ukrainës, që trajton ligjet dhe zakonet e luftës.

Avokati i tij, Victor Ovsyanikov, tha se çështja kundër tij është e fortë, por vendimi përfundimtar mbi atë se çfarë provash do të lejohen do të merret nga gjykata në Kiev.

Ai tha se ai dhe klienti i tij ende nuk kishin vendosur se si do të deklarohej.

Zyra e Prokurores së Përgjithshme të Ukrainës, Iryna Venediktova ka thënë se po shqyrton më shumë se 10.700 krime të mundshme lufte që përfshijnë më shumë se 600 të dyshuar, duke përfshirë ushtarë rusë dhe zyrtarë qeveritarë.