Pekini duhet “të bëjë më shumë” për të ndaluar eksportin e kimikateve për prodhimin e fentanilit, ka thënë Agjencia e zbatimit të Ligjit të Drogës (DEA) të mërkurën, raporton BBC-ja.
Kërkesa nga DEA vjen pasi vdekjet si pasojë e mbidozës së drogës kanë tejkaluar shifrën prej 100.000, për herë të parë brenda një viti kalendarik.
Dy të tretat e këtyre vdekjeve janë të lidhura me fentanil, një opioid sintetik, diku rreth 50 herë më i fuqishëm se heroina.
Zyrtarët amerikanë thonë se shumica e fentanilit që gjendet në SHBA është prodhim i Meksikës, me kimikate kineze.
Kimikatet që janë pararendëse për sintetizimin e opioidit po u shiten hapur karteleve meksikane që prodhojnë drogën, duke e kontrabanduar atë me pas në SHBA, sipas shefes së DEA-s, Anne Milgram.
“Duhet të jemi në gjendje të ndjekim çdo anije me kimikate që vjen nga këto kompani kineze dhe të cilat te ne vijnë nga Meksika. Tani për tani, s’mund ta bëjmë këtë”, ka thënë ajo.
Më shumë se një milion amerikanë kanë vdekur si pasojë e mbidozës që nga viti 2001. Shifrat janë rritur në mes të një krize të varësisë ndaj opioideve dhe gjithnjë e më shumë, amerikanët janë kthyer tek opioidet sintetike.
Ato janë gjithashtu më të lehta për t'u prodhuar nga kartelet, sepse mbështeten në kimikate dhe jo në kulturat natyrore si lulëkuqja për heroinën ose koka për kokainën.
Midis janarit të vitit 2021 dhe marsit 2022, DEA kapi rreth 950 kg kimikate pararendëse, tha Milgram, duke shtuar se kjo ishte e mjaftueshme për të prodhuar rreth një miliard doza vdekjeprurëse të fentanilit.
Kina e ka hedhur poshtë më parë fajin për rritjen e vdekjeve nga droga në SHBA nga fentanili.