Botë

Kremlini thotë se nuk do t’i shpallë luftë Ukrainës në “Ditën e Fitores”

Kremlini ka mohuar raportimet se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, planifikon t’i shpallë luftë Ukrainës dhe të bëjë një mobilizim të forcave rezervë ushtarake më 9 maj në atë që njihet si “Dita e Fitores”, raporton BBC.

Rusia në këtë datë feston fitoren e Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore. “Dita e Fitores” është festa më e madhe në Rusi dhe mbahet çdo vit më 9 maj. Bashkimi Sovjetik kishte humbur mbi 20 milionë jetë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i ka quajtur “çmenduri” raportimet se Rusia do t’i shpallë luftë Ukrainës më 9 maj dhe thotë se “nuk ka gjasa të ndodhë kjo”.

Presidenti i Rusisë, Putin, pritet të mbajë fjalim dhe ta shohë paradën ushtarake në Sheshin e Kuq të Moskës.

Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Rusia e ka përshkruar pushtimin si “operacion special ushtarak”.