Sllovakia është shteti i dytë evropian, i cili ka thënë se nuk do të mbështesë sanksionet kundër energjisë ruse që Bashkimi Evropian po përgatit shkaku i luftës në Ukrainë. Sllovakia thotë se është shumë e varur nga këto furnizime dhe nuk ka alternativa të menjëhershme.
Komisionarët e BE-së po debatojnë propozime të reja për sanksione, të cilat mund të përfshijnë një embargo me faza ndaj naftës ruse, raportoi të martën "Al Jazeera".
27 vendet anëtare pritet t'i diskutojnë ato të mërkurën, por mund të kalojnë disa ditë përpara se masat të hyjnë në fuqi dhe nuk është e qartë nëse mes tyre do të jetë edhe Sllovakia dhe Hungaria.
Ministri sllovak i Ekonomisë, Richard Sulik, ka thënë të martën se përpunuesi i vetëm i vendit, Slovnaft, nuk mund të kalojë menjëherë nga nafta ruse në një lloj tjetër nafte pasi që ndryshimi i teknologjisë do të zgjaste disa vite.
Sllovakia është pothuajse plotësisht e varur nga nafta ruse që e merr përmes tubacionit Druzhba të epokës sovjetike.
Edhe ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, ka deklaruar se vendi nuk do të votojë për asnjë sanksion që do të bëjë të pamundur transportin e gazit natyror ose naftës nga Rusia në Hungari.
“Çështja është e thjeshtë sepse furnizimi me energji i Hungarisë nuk mund të rrezikohet pasi askush nuk mund të presë që ne të lejojmë që çmimi i luftës në Ukrainë të paguhet nga hungarezët”, ka thënë Szijjarto, duke folur të martën në Kazakistan.