Pfizeri ka inkasuar gati 26 miliardë dollarë të ardhura në tre muajt e parë të vitit, pjesa më e madhe nga vaksina e saj COVID-19 dhe pilula e re për trajtimin e virusit, duke nxitur me këtë kritika për përfitime nga pandemia, raportoi The Guardian të martën.
Vaksinat kundër koronavirusit kanë shpëtuar shumë jetë në botë dhe kanë lehtësuar presionin në sistemet shëndetësore, por Pfizeri është përballur me kritika për çmimin e vaksinës.
Javën e kaluar, 35 aktivistë protestuan kundër asaj që e quajtën përfitim nga pandemia dhe vunë karroca përplotë me para false para zyrës qendrore të Pfizerit në Britani.
Kompania publikoi shitjet totale prej 25.7 miliardë dollarë në tremujorin e parë, 77% më shumë nga një vit më herët. Nga to, 13.2 miliardë dollarë erdhën nga vaksina e zhvilluar me kompaninë BioNTech, përfshirë dozat për fëmijë mbi 5 vjeç dhe dozat përforcuese.
1.5 miliardë dollarë erdhën nga Paxlovid, pilula kundër COVID-it.
Pfizeri ka bërë dhjetëra miliarda dollarë gjatë pandemisë nga produktet e lidhura me COVID-19, ashtu siç ka bërë edhe Moderna.