Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, do t'i drejtohet parlamentit ukrainas të martën, duke u bërë lideri i parë botëror që e bën këtë që nga shpërthimi i luftës në shkurt, raporton Sky News.
Në një fjalim të regjistruar, kryeministri do të vlerësojë rezistencën e Ukrainës kundër tiranisë ruse dhe do të shpallë një paketë të re ndihme ushtarake prej 300 milionë funtesh (357 milionë euro) për të mbështetur mbrojtjen e vazhdueshme të Ukrainës kundër Rusisë.
Në fjalimin e tij në "Verkhovna Rada" të martën, kryeministri pritet gjithashtu të përshëndesë "orën më të mirë" të Ukrainës dhe të theksojë se Mbretëria e Bashkuar është "krenare që është mes miqve".
Komentet e tij do të transmetohen derisa ambasada britanike rihapet në Kiev, si një shfaqje mbështetjeje për Ukrainën.
"Kur vendi im u përball me kërcënimin e pushtimit gjatë Luftës së Dytë Botërore, parlamenti ynë - si i yti, vazhdoi të takohej gjatë gjithë konfliktit dhe populli britanik tregoi një unitet dhe vendosmëri të tillë ashtu që ne e kujtojmë kohën tonë të rrezikut më të madh si 'ora jonë më e mirë'”, pritet të jenë fjalët e Johnsonit.
Johnsoni po ashtu pritet të deklarojë se ky është një kapitull, i cili do t’u mësohet edhe fëmijëve, se forca brutale e një agresori nuk vlen asgjë kundër forcës morale të një populli të vendosur për të qenë i lirë.