Botë

Raportohet për shpërthime në tri rajone ruse që gjenden në kufi me Ukrainën

Depo e naftës në zjarr në fshatin Belgoro

Të mërkurën në mëngjes janë dëgjuar shpërthime në tri rajone ruse që janë në kufi me Ukrainën, kanë njoftuar autoritetet lokale, raporton CNN.

Shpërthimi është pasuar nga një zjarr në një depo municioni në fshatin e Staraya Nelidovka, rreth 16 kilometra në veri të kufirit ruso-ukrainas, ka thënë kryetari i rajonit Belgorod, Vyacheslav Gladkov në Telegram të mërkurën. Ai ka bërë të ditur se nuk ka viktima në mesin e civilëve.

Ndërkohë shpërthime janë dëgjuar edhe në rajonin Kursk. Banorët kanë dëgjuar shpërthime rreth orës 2:45 të mëngjesit me kohë lokale.

Kryetari i Kurskut, Roman Starovoyt, ka thënë se ende janë të paqarta shkaqet e shpërthimit, por se nuk ka të vdekur apo shkatërrime.

Shpërthimi në Kursk vjen dy ditë pasi dy dronë ukrainas u rrëzuan nga një sistem i mbrojtjes ajrore në fshatin Borovskoye.

Shpërthime janë dëgjuar edhe në Voronezh. Autoritetet lokale kanë thënë se banorët në lagjen Shilovo kanë dëgjuar shpërthimet rreth orës 4:40 të mëngjesit.

Voronezhi është rreth 320 kilometra nga kufiri me Ukrainën dhe njihet si vend me përqëndrim ushtarak.