Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën disa nga veprimet më të ashpra kundër presidentit rus Vladimir Putinit pasi ai çoi trupat e tij në Ukrainë. Sondazhet në SHBA tregojnë se njerëzit duan që Washingtoni të bëjë më shumë. Kështu që, çfarë ka mbetur, në aspektin financiar, diplomatik e ushtarak, për ta rritur presionin?
SHBA-ja mund të marrë rezultate më të forta nga hapat e ardhshëm, thonë ekonomistët dhe ish-zyrtarë amerikanë. Ajo thjesht mund të vazhdojë në derdhjen e parave dhe armatimin e Ukrainës – një hap i mundshëm.
Por, hapi më i fuqishëm që Perëndimi mund ta ndërmarrë tani mbi Rusinë, pajtohen shumë ekspertë, është për gazin. Ndërprerja e fitimeve ruse nga shitja e naftës dhe gazit natyror është bërë temë kryesore mes liderëve botërore që shikojnë se çfarë mund të bëjnë tjetër për ta detyruar Putinin t’i japë fund pushtimit të tij.
"Do të ishte shumë e dobishme të përpiqeshim të gjenim një mënyrë për të reduktuar të ardhurat nga ato shitje dhe ky është me të vërtetë objektivi i duhur i një ndalimi", ka thënë sekretarja e Thesarit Janet Yellen në një takim të liderëve botërore të financave të enjten.
“Por, nëse mund të mendojmë për një mënyrë për ta bërë këtë pa e prekur tërë botën nga çmimet më të larta të energjisë, kjo do të ishte ideale”, shtoi ajo.
Presidenti Joe Biden tashmë ka ndërprerë importet relativisht të vogla të naftës ruse dhe produkteve të tjera të karburantit. Por, SHBA-ja do të bëhej qendër kryesore nëse aleatët ndërpresin rrjedhjen botërore të karburantit rus dhe të dënoheshin shtetet e bizneset që dështojnë ta bëjnë këtë.
Blerjet globale të prodhimit rus të naftës dhe gazit përbëjnë të paktën 40% të të ardhurave të qeverisë për Moskën. Eksportet po e mbajnë në këmbë ekonominë e Rusisë pavarësisht sanksioneve të miratuara deri më tani dhe financimit të luftës.
Reduktimi i mëtejshëm i naftës ruse në treg do ta bënte edhe më keq furnizimin global, duke rritur çmimet për të gjithë, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
SHBA-së tashmë po i kërkohet që të sigurojë se prodhuesit amerikanë mund të ndihmojnë në zëvendësimin e humbjes së furnizimit rus, nëse Evropa ndërpret shpejt blerjen e naftës ruse. SHBA-ja me gjasë do të ishte administrator dhe zbatues në secilin sanksion dytësor për penalizimin e Kinës ose vendeve a bizneseve nëse blejnë naftë ruse ose mundësojnë industrinë e gazit.
Sfera financiare është ajo nga ku do të vijnë veprimet e ardhshme të mëdha të SHBA-së kundër Rusisë.
Në aspektin ushtarak, SHBA-ja nuk ka shumë gjasa që të dërgojë sisteme armësh të reja dhe komplekse, si tanke amerikane apo avionë luftarakë dhe bombardues. Ta bëjë një gjë të tillë do të duhej të trajnonte luftëtarët ukrainas për armë të panjohura për ta kur ata nevojiten të luftojnë.
Në vend të kësaj, SHBA-ja pritet të vazhdojë me të njëjtën mënyrë sa i përket aspektit ushtarak, duke derdhur më shumë para dhe armë bazike lufte dhe rifurnizime. Të enjten, Bideni premtoi 1.3 miliardë dollarë shtesë për artileri të rëndë, 144,000 fishekë municionesh dhe ndihma të tjera.
Shpërndarje e inteligjencës amerikanë për ta ndihmuar Ukrainën në luftë është po ashtu një opsion.
Në aspektin diplomatik, SHBA-ja dhe vendet që mendojnë njëjtë me të, po eksplorojnë mënyra që Rusia të jetë më e izoluar. Rusia veçse është suspenduar nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara.
Megjithatë, nuk ka gjasa të suspendohet nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit, Organizata Botërore e Shëndetësisë ose Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë. Çdo përpjekje për ta hequr nga trupi më i fuqishëm në botë – Këshilli i Sigurimit i OKB-së – do të çonte në një veto ruse dhe ndoshta kineze.