Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson ka zbuluar se trupat ukrainase janë në Mbretërinë e Bashkuar duke u trajnuar se si të përdorin automjetet e blinduara me të cilat Britania po e furnizon Ukrainën, për të zmbrapsur forcat ruse, raporton BBC të premten.
“Mund të them se aktualisht po trajnojmë ukrainasit në Poloni për përdorimin e mbrojtjes kundërajrore, dhe në fakt në Mbretërinë e Bashkuar në përdorimin e automjeteve të blinduara”, u tha Johnson gazetarëve që udhëtonin me të për vizitën e tij në Indi.
Edhe sekretari i shtypit i Johnsonit tha se dhjetëra ushtarë ukrainas ndodheshin aktualisht në Mbretërinë e Bashkuar për stërvitje.
Britania po i siguron Ukrainës 120 automjete patrullimi të blinduara, duke përfshirë Mastiff, i cili mund të përdoret si mjet zbulimi ose patrullimi. Ushtarëve do t'u tregohet gjithashtu se si të përdorin ambulancën samaritane dhe automjetet e blinduara të zbulimit Sultan dhe Samson.
Zëdhënësi i Johnsonit, tha se Britania dhe aleatët e saj po u siguronin ushtarëve ukrainas lloje të reja pajisjesh që mund të mos i kishin përdorur më parë.
"Është e arsyeshme që ata të marrin trajnimin e nevojshëm për t’i përdorur ato sa më mirë," tha zëdhënësi.