Botë

Policia izraelite hynë në komplesin e xhamisë Al-Aksa

Izrael, Palestinez, Prill 2022, Al-Aksa

Policia izraelite ka hyrë të dielën në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në qytetin e vjetër të Jerusalemit, dy ditë pas përleshjeve midis forcave të sigurisë dhe palestinezëve, të cilat lanë dhjetëra persona të plagosur.

Siç ka bërë të ditur policia, forcat e saj hynë në xhami për të lehtësuar vizitën rutinë të hebrenjve në vendin e shenjtë dhe si kundërpërgjigje palestinezët kanë grumbulluar gurë dhe kanë ngritur barriera duke u përgatitur për dhunë.

Policia ka larguar palestinezët nga hapësirat e xhamisë gjatë mëngjesit të 17 prillit, ndërsa dhjetëra palestinezë kanë mbetur brenda objektit, raportoi Associated Press.

Ky kompleks është i rëndësishëm për myslimanët dhe për hebrenjtë, e poashtu është një zonë ku prej kohësh ka dhunë mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Këto trazira nisën vetëm dy ditë pas përleshjeve me palestinezët në të njëjtin vend.

Policia izraelite akuzoi palestinezët për përdhosje të një vendi të shenjtë, ndërsa zyrtarët palestinezë akuzuan Izraelin për përpjekje për të ndarë vendin e shenjtë të ndjeshëm.

“Ajo që ndodhi në xhaminë Al-Aksa është një përshkallëzim i rrezikshëm, pasojat e të cilit do të përballohen vetëm nga qeveria izraelite”, tha Nabil Abu Rdeneh, zëdhënës i presidentit palestinez Mahmud Abbas.

Policia tha se zyrtarët hynë në këtë zonë pasi u sulmuan me fishekzjarrë, gurë dhe objekte të tjera. Tre policë palestinezë u lënduan, thanë ata. Sipas raportimeve, mbi 150 palestinezë raportohet se janë plagosur.