Botë

Të paktën 320 të vrarë nga forcat ruse në Bucha

Kryetari i bashkisë së Buchas, Anatoliy Fedoruk, ka folur të mërkurën në programin Newshour të BBC-së rreth akuzave për krime lufte nga forcat ruse në qytetin e tij, i cili është kthyer nën kontrollin ukrainas.

Ai ka treguar gjithashtu se ishte fshehur në një ndërtesë gjatë pushtimit, dhe thotë se ishte dëshmitar i vrasjeve.

Sipas tij, numri i të vrarëve në Bucha është të paktën 320.

"Aktualisht ne e dimë se ka pasur 320 civilë të vrarë nga pushtuesit rusë dhe kjo shifër po bëhet më e madhe”, ka thënë Fedoruk.

Ai ka shtuar se kishte parë momentin kur njerëzit janë "qëlluar brutalisht" nga rusët ndërsa ata përpiqeshin të largoheshin nga qyteti me vetura.

"Ishte një grua shtatzënë. Burri i saj bërtiste duke kërkuar që të mos e qëllonin, por ata thjesht e qëlluan brutalisht. Kështu që ai duhej ta varroste në rrugë anësore dhe në vend të një kryqi [ai] vendosi targën e veturës së tij”, ka rrëfyer ai.

Kryebashkiaku përshkroi gjithashtu atë që dinte rreth imazheve që shfaqnin trupat e civilëve të vdekur në rrugë, duke përshkruar "njerëz me duar të lidhura dhe trupat e tyre të vendosur mbi njëri-tjetrin”.

Fedoruk ka thënë se ishin "pesë të rinj të torturuar, me duart e lidhura pas shpine, të qëlluar pas koke".

Rusia ka mohuar se forcat e saj kanë kryer mizori në Bucha.