Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, deklaroi të martën se zgjedhjet në Serbi nuk ishte të lira e as të drejta.
Zhvillimi i vetëm pozitiv, sipas saj, ishte pjesëmarrja masive në zgjedhje.
“Zgjedhjet serbe demonstruan zhvillime pozitive pasi një numër i konsiderueshëm i votuesve ishin të etur për të marrë pjesë. Serbia do të ketë sërish një Parlament pluralist dhe të larmishëm. Megjithatë, zgjedhjet në Serbi nuk ishin as të lira e as të drejta”, shkroi ajo në Twitter.
Zgjedhjet në Serbi u mbajtën të dielën. U organizuan zgjedhje parlamentare, presidenciale dhe lokale në disa komuna.
Aleksandar Vuçiqi, president aktual, sipas rezultateve preliminare ka fituar edhe një mandat, ndërkohë partia që udhëheq ai, ajo Përparimtare Serbe, pritet të ketë shumicën në Kuvend.
Von Cramon ka përmendur edhe çështjen e pasvizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe faktin se shumë nuk u lejuan të votonin pasi janë fshirë nga regjistri civil.
“Çështje të drejtave themelore u raportuan sërish në Luginën e Preshevës, dhe jemi seriozisht të shqetësuar për ankesat e shqiptarëve etnikë të cilëve sërish u është mohuar e drejta e votimit pasi janë fshirë nga regjistri civil, që është e papranueshme dhe jemi duke ndjekur nga afër këto raportime”, ka thënë Von Cramon. “Duke aspiruar të anëtarësohet në BE, Serbia së pari duhet të respektojë të drejtat themelore”.