Botë

Vezët “Kinder” tërhiqen nga tregu i Britanisë, dyshohet se përmbajnë salmonelë

Grupi italian i ëmbëlsirave “Ferrero” ka tërhequr “vezët” prej çokollate “Kinder Surprise” nga raftet britanike dy javë para Pashkëve, pasi u zbulua një lidhje e mundshme me dhjetëra raste të raportuara nga salmonela.

Tërheqja prek shumë paketime të vezëve Kinder Surprise, ëmbëlsirat shumë të preferuara nga fëmijët që përmbajnë lodra të vogla koleksionuese brenda një guaske çokollate, raporton Reuters.

“Ne jemi duke tërhequr vullnetarisht Kinder Surprise si një hap paraprak, pasi jemi bërë të vetëdijshëm për një lidhje të mundshme me një numër rastesh të raportuara të salmonelës”, thuhet në njoftimin e tërheqjes nga kompania.

Ferrero ka bërë të ditur se çokollata e prekur ishte prodhuar në Belgjikë dhe tërheqja mund të shtrihet në vende të tjera.

Agjencia Britanike e Standardeve të Ushqimit (FSA) këshilloi klientët që të mos hanë produktet, të cilat mbajnë datat e afatit të skadimit midis 11 korrikut dhe 7 tetorit.

Të paktën 63 raste të sëmundjeve, të lidhura me këto produkte janë identifikuar, shumica e të cilave janë te fëmijët nën 5 vjeç, ka bërë të ditur Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar.

"Ne e dimë se këto produkte të veçanta janë të njohura për fëmijët e vegjël, veçanërisht me afrimin e Pashkëve, kështu që ne do t'i nxisim prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve që të kontrollojnë nëse ndonjë produkt tashmë në shtëpinë e tyre është prekur nga kjo tërheqje”, ka thënë Tina Potter, shefe e FSA-së.