22:38 - Johnson: S’mund të fshihet e vërteta e vrasjes së civilëvë në Ukrainë
Kryeministri britanik, Boris Johnson, deklaroi se asnjë dezinformatë nga Kremlini zyrtar nuk mund ta fshehë të vërtetën e vrasjes së civilëve në Ukrainë.
Ai tha se pamjet e vrasjes së civilëve “janë edhe më shumë dëshmi se Putini dhe ushtria e tij po kryejnë krime”.
“Asnjë mohim a dezinformim nga Kremlini nuk mund ta fshehë atë që ne të gjithë e dimë se është e vërtetë. Putini është i dëshpëruar, pushtimi i tij po i dështon dhe vendosmëria e Ukrainës nuk ka qenë kurë më e fortë”, tha Johnson.
Në Bucha të Kievit dhjetëra civilë u vranë nga forcat ruse.
20:30 - Sulm në Kharkiv, 23 ukrainas të vdekur
Të paktën 23 persona, në mesin e tyre edhe fëmijë, u vranë të dielën në lagjen Slobidsky të Kharkivit, njoftoi udhëheqësi ushtarak rajonal i këtij qyteti, Oleh Syniehubov.
Ai tha se pos këtij sulmi janë paralajmëruar edhe sulme të tjera me raketa në jug të Kharkivit.
20:14 - Liderët evropianë kërkojnë të hetohen trupat ruse për krimet në Bucha
Trupat e të paktën 20 burrave civilë u gjetën të shpërndarë nëpër një rrugë në qytetin Bucha të Kievit, pas largimit të forcave ruse nga kjo zonë. Veprimet e këtyre forcave i kanë dënuar udhëheqësit evropianë duke kërkuar të nisë një hetim ndaj tyre, raporton CNN të dielën.
Shefja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, tha se krimet ruse në Bucha paraqesin “realitetin e ftohtë” të situatës.
“Bota duhet të ndërgjegjësohet për atë që po ndodhë në Ukrainë dhe duhet të vendosë sanksione më të ashpra”. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkroi në Twitter se ndjehet e tmerruar nga pamjet.
“Një hetim i pavarur nevojitet urgjentisht”, tha ajo.
Kancelari gjerman, Olaf Shcolz, tha se pamjet e Buches janë të tmerrshme dhe se autorët duhet të mbahen përgjegjës.
“Ne duhet t’i hetojmë pa pushim këto krime të kryera nga ushtria ruse. Unë kërkoj që organizatave ndërkombëtare si Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq t'u jepet qasje në këto zona në mënyrë që të dokumentojnë në mënyrë të pavarur mizoritë. Autorët dhe ata që i kanë kryer ato duhet të jenë mbajtur vazhdimisht përgjegjës”, tha Scholz.
Krimet ruse ndaj ukrainasve civilë i dënoi edhe presidenti francez, Emmanuel Macron.
“Imazhet që na arrijnë nga Bucha, një qytet i çliruar pranë Kievit, janë të papërballueshme. Në rrugë, qindra civilë u vranë. Dhembshuria ime është për për viktimat, solidariteti im me ukrainasit”, tha Macron në një postim në Twitter.
Kryeministri italian, Mario Draghi, e dënoi krimin rus të dielën, derisa tha mizoria ndaj civilëve të paarmatosur është e frikshme dhe e papërballueshme.
“Autoritetet ruse duhet t’i ndërpresin menjëherë armiqësitë, të ndalojnë dhunën kundër civilëve dhe duhet të japin llogari për atë që ka ndodhur”, shtoi ai.
19:54 - Granatime në Mykolaiv, të paktën një i vdekur
Nga granatimet ruse në qytetin ukrainas, Mykolaiv, të paktën 14 persona u lënduan e një humbi jetën, raporton CNN. Të lënduarit u dërguan në spitalin e afërt për trajtim.
Udhëheqësi ushtarak në atë zonë deklaroi të dielën se në mesin e të lënduarve është një fëmijë 15-vjeçar që ka lëndime trupore të shkallës së mesme.
Nuk u bë e ditur nëse personi i vdekur ishte dërguar papraprakisht për trajtim në spital, derisa ende nuk dihet identiteti i tij.
17:25 - Zelensky: Rusia po bën gjenocid në Ukrainë
Populli i Ukrainës nuk dëshiron të nënshtrohet nga Rusia dhe si rezultat po shkatërrohet dhe shfaroset, ka thënë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Duke folur për CBS News përmes një përkthyesi të dielën, Zelensky ka thënë se pushtimi rus po e torturon gjithë kombin.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.
17:01- Rusia mohon vrasjen masive të civilëve në Bucha
Ministria ruse e mbrojtjes ka mohuar pretendimet e Ukrainës se qindra civilë janë vrarë nga ushtarët rusë në Bucha, shkruan Sky News.
Ajo tha se fotografitë dhe videot e shumta të publikuara nga Ukraina ishin një “provokim”, duke argumentuar se të gjitha njësitë e saj ishin larguar nga qyteti të mërkurën.
16:50 - Sulm me raketa në një qytet afër Kievit
Një sulm raketor rus ka goditur selinë rajonale në qytetin Vasylkiv, afër Kievit, ka thënë ushtria ukrainase.
Disa civilë u plagosen, por ende nuk janë dhënë detaje të mëtejshme, shkruan Sky News.
I gjithë rajoni i Kievit tani është nën kontrollin e Ukrainës, kanë thënë zyrtarët ukrainas, pasi trupat ruse filluan të tërhiqen.
Por, zonat në rajon janë ende në rrezik nga granatimet dhe sulmet ajrore.
16:33 - Stoltenberg i quan brutale vrasjet e civilëve në Bucha
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg të dielën e quajti vrasjen e civilëve në një qytet në veriperëndim të Kievit një brutalitet, pas akuzave se ata u ekzekutuan nga forcat ruse në zonë.
“Është një brutalitet ndaj civilëve që nuk e kemi parë në Evropë për dekada. Dhe është e tmerrshme dhe është absolutisht e papranueshme që civilët të jenë në shënjestër dhe të vriten.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.
16:23 - Macron: Imazhet në Bucha janë të tmerrshme, Rusia duhet të përgjigjet për krimet
Presidenti francez, Emmanuel Macron i ka përshkruar imazhet nga Bucha si “të padurueshme”.
Macron ndau dhembshurinë e tij për ukrainasit dhe viktimat, duke shtuar se autoritetet ruse duhet të përgjigjen për këto krime, shkruan BBC.
Udhëheqësi francez, i cili përballet me zgjedhje kombëtare këtë muaj, ka folur rregullisht me presidentin rus, Vladimir Putin gjatë gjithë periudhës së ndërtimit të pushtimit dhe më pas dhe është pozicionuar si ndërmjetës për paqen.
15:38 - Ukraina: Vrasjet në Bucha ishin të qëllimshme
Zyrtarët ukrainas e kanë akuzuar Rusinë për gjenocid në Bucha, që gjendet në periferi të Kievit, teksa autoritetet lokale kanë thënë se afër 300 banorë janë vrarë gjatë kohës kur ky vend ishte nën kontrollin e forcave ruse.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ka thënë se “masakra në Bucha ishte e qëllimshme”, raportoi REL të enjten.
Ndërkaq, kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, i tha gazetës gjermane, Bild, se “ajo çfarë ndodhi në Bucha dhe në pjesë të tjera në periferi të Kievit mund të përshkruhet me termin gjenocid”. Sipas tij, presidenti rus, Vladimir Putin, ishte përgjegjësi i vetëm për këto krime.
Nga ana tjetër, Human Right Watch ka thënë të dielën se ka “dokumentuar disa raste ku ushtria ruse ka kryer shkelje të ligjit të luftës kundër civilëve në zonat e okupuara të Chernihivit, Kharkivit dhe rajonit të Kievit në Ukrainë”.
Kjo organizatë ka njoftuar se më 4 mars forcat ruse në Bucha kanë qëlluar me armë zjarri prapa koke të paktën një person.
Kryetari i Buchas, Anatoly Fedoruk, ka thënë më 2 prill se afër 300 banorë lokalë janë vrarë në kohën kur ky qytet ishte nën okupimin e forcave ruse. Afër 280 dyshohet se janë varrosur në një varrezë masive, ndërkaq trupat e viktimave të tjera janë lënë në rrugët e këtij qyteti.
Edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të Mbretërisë së Bashkuar kanë reaguar pas pamjeve të publikuara nga Bucha, duke thënë se forcat ruse kanë kryer mizori.
BE-ja ka paralajmëruar sanksione të reja ndaj Moskës, ndërkaq Mbretëria e Bashkuar ka thënë se do ta ndihmojë Ukrainën që të dokumentojë krimet e kryera nga forcat ruse.
14:43 - Zyrtarët amerikanë: Rusia synon ta marrë nën kontroll pjesën lindore të Ukrainës deri më 9 maj
Rusia ka ndërruar strategjinë e saj në Ukrainë, ndërsa tash po përqendrohet që të marrë nën kontroll rajonin e Donbasit dhe rajonet tjera në lindje të Ukrainës, ndërsa synon ta arrijë këtë deri në fillim të janarit, thuhet nga disa zyrtarë amerikanë që kanë njohuri në raportet e fundit të inteligjencës amerikane, njofton CNN.
Forcat ruse nuk kanë qenë në gjendje të mbajnë nën kontroll zonat ku kanë qenë duke luftuar. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është nën presion për të demonstruar një fitore, dhe lindja e Ukrainës është vendi ku mund ta arrijë këtë më shpejt, thonë zyrtarët. Sipas inteligjencës amerikane Putini është i përqendruar më 9 maj, “Ditën e Fitores” së Rusisë.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.

14:31 - Forcat ruse po i mbajnë peng 11 kryebashkiakë ukrainas dhe e kanë vrarë një në paraburgim
Forcat ruse po i mbajnë peng 11 kryebashkiakë ukrainas, ndërsa po ashtu kanë vrarë një në paraburgim, ka thënë zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk të dielën, raporton CNN.
Në një mesazh të postuar në rrjetet sociale, Vereshchuk ka thënë se 11 kryetarë komunash nga rajonet nga Kievi, Khersoni, Mykolaivi e Donetzku po mbahen peng nga forcat ruse.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.
13:56 - Forcat ukrainase rimarrin kontrollin në Pripyat, pranë centralit bërthamor të Chernobylit
Trupat ukrainase kanë rimarrë kontrollin në Pripyat, qyteti pranë termocentralit bërthamor të Chernobylit, ka njoftuar të dielën Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.
“Sot, më 3 prill, njësitë e parashutistëve të Forcave të Armatosura të Ukrainës morën kontrollin e zonës së qytetit të Pripyat dhe zonën përgjatë kufirit shtetëror të Ukrainës me Republikën e Bjellorusisë”, thuhet në një postim e këtij Shtabi në Facebook, raportoi CNN-i.
Në këtë postim është shtuar edhe një fotografi ku shihet flamuri ukrainas që fluturonte mbi qytet. Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.
13:34 - Rreth 2.5 milionë refugjatë ukrainas kaluan kufirin për në Poloni
Rreth 2.5 milionë refugjatë ukrainas kanë kaluar kufirin për në Poloni që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.
Roja Kufitare polake ka njoftuar të dielën se 2.461 milionë refugjatë kanë kaluar nëpërmjet pikës kufitare që dërgon në Poloni, raportoi CNN-i.
Më shumë se 4.1 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, sipas shifrave të fundit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.
13:21 - Ukraina kërkon që bota të reagojë ndaj masakrës në Bucha
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka kërkuar që bota të reagojë ndaj masakrës që ai thotë se ka ndodhur në qytetin Bucha në afërsi të Kievit, raporton BBC.
“Synimi i Rusisë është të eliminojë sa më tepër ukrainas që është e mundur”, ka shkruar Kuleba në një postim në Twitter, ndërsa i ka bërë thirrje shteteve të G7 që t’i vënë sanksione të reja Rusisë.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.
Sergey Nikiforov, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka përsëritur pretendimin e ukrainës se trupat ruse janë larguar nga rajoni i Kievit dhe po rigrupohen për të goditur Donbasin.
Nikiforov në një intervistë për BBC-në, ka thënë se Moska po tërheq forcat e saj në Bjellorusi dhe po përgatitet për një sulm të ri në lindje të Ukrainës.
"Ata po tërhiqen nga veriu dhe po përqendrojnë përpjekjet e tyre për të goditur lindjen, për të rrethuar ushtrinë tonë në Donbas”, ka thënë ai. Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.
11:37 - Këshilltari i Zelenskyt: Ushtarët rusë po lënë prapa dëshmi të krimeve të luftës
Forcat ruse mund të jenë duke lënë prapa dëshmi të krimeve të luftës, ndërsa po tërhiqen nga territoret rreth kryeqendrës së Ukrainës, Kievit, ka thënë këshilltari i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një intervistë për BBC të dielën.
Sergey Nikiforov i ka përshkruar imazhet nga qytetet si Bucha, Hostomel e Irpin – të tria në afërsi të Kievit – si “zemërthyese”.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.
11:29 - Zelensky ankohet se nuk po ndihmohet sa duhet nga Perëndimi
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është ankuar se Perëndimi nuk është duke e ndihmuar sa mundet Ukrainën.
Zelensky ka thënë se Ukraina ende nuk ka mjaftueshëm sisteme anti-raketore moderne, e po ashtu nuk i janë ofruar aeroplanë ushtarakë.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.
09:12 - Kremlini thotë se bisedimet për paqe duhet të vazhdojnë, e quan “armiqësore” Ukrainën
Kremlini thotë se bisedimet Rusi – Ukrainë për të arritur marrëveshje paqeje duhet vazhduar, por këto bisedime i ka quajtur të vështira, duke e cilësuar Ukrainën si “armiqësore”.
“Ukraina është shtet shumë i vështirë për ne. Në gjendjen aktuale është armiqësore ndaj nesh”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, raporton agjencia ruse e lajmeve RIA. Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.
09:04 - Rrugët e qytetit Bucha në Ukrainë të mbushura me trupa të pajetë
Qyteti Bucha në Ukrainë është kthyer në një vend me varrezat masive më të mëdha nga pushtimi rus i Ukrainës.
Kryebashkiaku Anatoly Fedoruk, ka thënë të shtunën për AFP-në se në këtë vend tashmë janë varrosur 280 njerëz në varre masive.
Ai ka njoftuar se rrugët e qytetit të shkatërruar janë mbushur me kufoma. Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.
08:13 - Shpërthime të forta në portin jugor të Ukrainës, Odesa
Shpërthime të fuqishme raportohet të kenë ndodhur në portin jugor të Ukrainës, Odesa, në orët e para të së dielës.
“Shpërthime të forta momentalisht në qendër të Odesës. Dritaret e dhomës sime të hotelit sapo lëvizën. Nuk dihet se çfarë ishte”, ka shkruar në Twitter, korrespondentja e Washington Postt, Isabelle Khurshudyan, raportoi BBC-ja.
Serhiy Bratchuk, zëdhënës i administratës ushtarake rajonale të Odesës, u ka bërë thirrje banorëve të qytetit të qëndrojnë në strehimore.
Anton Herashchenko, Këshilltari i ministrit të brendshëm të Ukrainës, ka konfirmuar në Telegram se "Odesa u sulmua nga ajri" me raketa.
Objektivi i sulmit ende nuk është konfirmuar.
Russischer Raketenangriff auf #Odesa. #Ukraine #UkraineKrieg pic.twitter.com/2kZUrZJkEF
— Mariana Leshkovych (she/they) ?️? (@Meduselchen) April 3, 2022