Botë

Britania kërkon nga sektori publik të ndërpresë kontratat me kompanitë ruse e bjelloruse

Kabineti qeveritar i Mbretërisë së Bashkuar ka nxjerr të hënën një varg politikash prokurimi për organizatat e sektorit publik që kanë kontrata me furnizues rusë ose bjellorusë, duke u kërkuar atyre t’i anulojnë ato kontrata.

“Udhëzimi i lëshuar sot për ekipin blerës të sektorit publik rekomandon që organet publike, duke përfshirë departamentet qeveritare dhe spitalet, të kërkojnë menjëherë të identifikojnë çdo kontratë me kompani ruse dhe bjelloruse dhe nëse është e mundur të ndërrojnë furnizuesit, të ndjekin rrugët ligjore për anulimin e tyre”, thuhet në deklaratë, raporton The Guardian.

Shefi i shtabit të Downing Street, Steve Barclay, citohet të ketë thënë se paratë publike nuk duhet të financojnë makinën luftarake të presidentit rus, Vladimir Putin.

“Ne po kërkojmë nga spitalet, këshillat dhe organizatat e tjera në të gjithë sektorin publik që të shikojnë urgjentisht të gjitha mënyrat që mund të shkojnë më tej për të ndërprerë lidhjet e tyre tregtare me Rusinë”, tha ai.

Ai më tej ka thënë se Qeveria do të vazhdojë të punojë ngushtë me këto organizata, duke siguruar që ato të jenë në gjendje të ndërmarrin hapat e nevojshëm sa më shpejt të jetë e mundur, duke përfshirë marrjen e rrugëve ligjore aty ku është e nevojshme.