Botë

Kremlini hedh poshtë pretendimet se po planifikon sulme kibernetike

Kremlini ka hedhur poshtë të martën pretendimet se është duke planifikuar sulm kibernetik, si hakmarrje ndaj një vale sanksionesh të vendosura nga shtetet e Perëndimit.

Zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin, Dmitry Peskov, u ka thënë gazetarëve se Rusia nuk angazhohet në banditizëm në nivel shtetëror, raportoi Sky News.

“Ndryshe nga shumë vende perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Rusia nuk angazhohet në banditizëm në nivel shtetëror", tha Peskov.

Këto komente vijnë një ditë pasi Shtëpia e Bardhë paralajmëroi, bazuar në analizat e Inteligjencës së saj, se qeveria ruse është duke hulumtuar opsione për një sulm kibernetik.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë të hënën se beson se Rusia është duke u përgatitur për operacione të "flamurit të rremë" – akt i kryer me qëllimin për të fajësuar një palë tjetër.

Bideni po ashtu ka deklaruar se Putini mund të jetë duke u bërë gati që të përdorë armë kimike apo biologjike në Ukrainë.