Botë

Jahte, aeroplanë e prona luksoze: Sa është pasuria e miqve të Putinit jashtë Rusisë

Më shumë se 17 miliardë dollarë në asete të ndryshme – përfshirë llogaritë bankare, jahtet, aeroplanët privatë e prona luksoze në Londër, Tuskanë e rivierën franceze – janë të lidhura me 35 oligarkë dhe zyrtarë rusë që thuhet se kanë lidhje të afërta me presidentin Vladimir Putin.

“The Guardian” ka publikuar një hulumtim fillestar në një projekt për monitorimin e pasurisë së rusëve më të pasur. Monitoruesi nis me fokusin në 35 rusët që konsiderohen si ndër më të afërmit për Putinin. Pasuria e tyre është përllogaritur vetëm për pronat jashtë Rusisë.

Vetëm në Britani të Madhe është gjetur pasuri prej më shumë se gjysmë miliardi dollarësh e lidhur me katër emra rusë: Roman Abramovich, Alisher Usmanov, Oleg Deripaska dhe Igor Shuvalov.

Image

Ata kanë 35 pallate, 43 apartamente dhe 27 prona të tjera. Shtatë jahte, 11 aeroplanë e helikopterë privatë janë llogaritur në vlerë 2 miliardë dollarë e u përkasin vetëm gjashtë individëve.

Jashtë Britanisë së Madhe janë identifikuar 26 asete të Deripaskas që vlerësohet si industrialisti i preferuar i Putinit. Aksione në vlera miliardëshe, hotel në Alpet austriake, superjaht, anije e prona luksoze në Londër, Paris, Washington DC dhe New York dhe katër vila në Sardinia.

Për Shuvalovin, ish-zëvendëskryeministrin rus, janë identifikuar dy aeroplanë privatë. Po ashtu janë ndërlidhur edhe tri prona luksoze 35 milionë dollarëshe në Austri, Itali e Arabi.

Pronar i pronave të majme ka edhe Nikolay Tokarev, kryetar i kompanisë së naftës “Transneft”. Ka prona të majme në Kroaci, ndërkaq Dmitry Peskov, sekretar presidencial për media, ka apartament luksoz në Paris.