Botë

Vritet një shtetas amerikan në Chernihiv të Ukrainës

Një shtetas amerikan ishte në mesin e disa personave të vrarë në qytetin verior të Ukrainës, Chernihiv, të enjten, kanë bërë të ditur autoritetet ukrainase.

Departamenti Amerikan i Shtetit e ka konfirmuar vdekjen dhe i shprehu ngushëllime familjes, raportoi CNN-i.

“Për respekt për familjen, gjatë kësaj kohe të vështirë, nuk kemi asnjë koment të mëtejshëm”, shtoi një zëdhënës.

Një deklaratë e policisë ukrainase tha se vdekjet ishin rezultat i zjarrit të artilerisë ruse në qytet.

Qyteti Chernihiv, në verilindje të Kievit dhe afër kufirit rus, ka parë granatimet më intensive nga forcat ruse që nga fillimi i luftës më shumë se tri javë më parë.

Më herët të enjten, kreu rajonal Vyacheslav Chaus ka thënë se më shumë se 50 trupa ishin sjellë në morgun e qytetit të mërkurën. Në mesin e të vrarëve ishin më shumë se 10 njerëz të cilët në momentin e sulmit ishin të rreshtuar për të blerë bukë.

Ndërkohë, në një deklaratë të veçantë të enjten, shërbimet e urgjencës të Ukrainës thanë se në procesin e pastrimit të rrënojave nga një ndërtesë e dëmtuar në sulmet e mëparshme, zbuluan trupat e një familjeje prej pesë anëtarësh, duke përfshirë një vajzë 12-vjeçare dhe binjakë 3-vjeçarë.