Botë

Sllovakia konfirmon gatishmërinë për t’i siguruar Ukrainës sisteme të mbrojtjes ajrore

Ministri sllovak i Mbrojtjes, Jaroslav Nad’, ka thënë se Sllovakia është e gatshme t’i sigurojë Ukrainës sistemet e mbrojtjes ajrore S-300, derisa ka njoftuar se janë në diskutime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me aleatët tjerë për një “zëvendësim të duhur, ose një aftësi të garantuar për një periudhë të caktuar kohore”.

“Jemi të gatshëm ta bëjmë këtë menjëherë kur të kemi një zëvendësues të duhur”, ka thënë Nad’ në një konferencë të përbashkët shtypi me Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-së, Lloyd Austin. “I vetmi sistem strategjik i mbrojtjes ajrore që kemi në Sllovaki është sistemi S-300. Pra, ajo që do të ndodhte menjëherë kur të vendosim t'ua japim ukrainasve është që të krijojmë një hendek sigurie në NATO”, ka shtuar ai, raporton CNN.

Austin tha se SHBA-ja po vazhdon të punojë me aleatët për këtë çështje, por ai nuk kishte asnjë njoftim për të bërë në lidhje me pajisjen e Ukrainës me sistemin S-300.

Përpjekja që ukrainasit të marrin më shumë S-300 vjen pasi Kongresi i ka bërë presion administratës Biden për të ndihmuar Ukrainën të marrë sistemin e mbrojtjes ajrore.

Të mërkurën është raportuar se Sllovakia ka rënë dakord paraprakisht që t'i sigurojë Ukrainës sistemin kyç të mbrojtjes ajrore për të ndihmuar në mbrojtjen kundër sulmeve ajrore ruse, mirëpo transferimi nuk është ende i siguruar.