Botë

Nisin reagimet ndaj Serbisë për protestën pro-Rusisë

Kanë nisur reagimet e para në rrjetet sociale për mbështetjen që protestues serbë i kanë dhënë të premten Rusisë në veprimet e saj për pushtimin e Ukrainës. Teksa gazetarë të shumtë ndërkombëtarë kanë nisur të reagojnë krahas mijëra përdoruesve të zakonshëm, ende megjithatë s’ka pasur ndonjë reagim institucional për protestën që bie ndesh me qëndrimet e Perëndimit.

Të shumta kanë qenë postimet në Twitter për heshtjen e Bashkimit Evropian që nuk e ka dënuar sjelljen e Serbisë për vendimin e saj që të mos vendosë sanksione ndaj Rusisë, siç ka bërë vetë BE-ja dhe shtetet perëndimore.

Aleksandar Brezar, gazetar i “Euronews”, ka postuar një video në këtë rrjet social duke thënë se me këtë pamje hiqen dyshimet për “qëndrimin neutral” të Serbisë.

Serbia ditë më parë u shpreh se e njeh integritetin territorial të Ukrainës, por nuk vendosi për sanksione ndaj Rusisë. Më pas, Serbia votoi pro një rezolute të Kombeve të Bashkuara për të dënuar agresionin rus.

Më së shumti është shpërndarë një postim i ish-ambasadorit ukrainas në Austri, Olexander Scherba.

“Çfarë po ndodh me ty, Serbi”, ka shkruar ai.