Botë

Stuttgarter Nachrichten: Vuçiqi mes dy zjarreve

Descriptive Text

Vetëm pas disa ditëve vonesë Serbia në fundjavë dënoi pushtimin rus të Ukrainës, por refuzoi sërish t’i vë sanksione Rusisë.

Në luftë e përshkallëzuar në Ukrainë, Serbia si kandidate për anëtarësim në BE po e ka gjithnjë më të vështirë të lundrojë mes Lindjes dhe Perëndimit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më me dëshirë do të kishte preferuar të heshte për gjakderdhjen në Ukrainë derisa të përfundonte lufta.

Për ditë të tëra, miku i vetëshpallur i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, ishte ankuar për “presionin e madh” nën të cilin gjendet vendi i tij.

Vetëm në fundjavë kreu i partisë nacional-populiste SNS, tregoi për qëndrimin zyrtar të Beogradit. Qëndrimi ishte se “Serbia i jep mbështetje të plotë integritetit territorial të Ukrainës” dhe se “nuk do t’i vendosë asnjë sanksion Rusisë”.

Vuçiq konsiderohet mik i Putinit

Manovrimi mes Lindjes dhe Perëndimit ka qenë një traditë e Beogradit që nga prishja e Titos me Stalinin.

Në vitin 2009 presidenti i atëhershëm i Serbisë, Boris Tadiq shpalli BE-në, Rusinë, SHBA-në dhe Kinën si “katër shtyllat” e politikës së jashtme të Serbisë.

Për vite me radhë Vuçiq përdori aktin balancues mes botëve, e përdori si armë në fushatat e tij zgjedhore.

Vuçiq shkonte me kohë në sesione fotografie me Putinin në Moskë dhe me Angela Merkelin në Berlin.

“A dëshiron Vuçiqi të jetë i vetmi burrështetas që krahas Putinit dhe Lukashenkos do ta përcjellë më 9 maj paradën fitimtare në Moskë? Një neutralitet, siç e paramendon Vuçiqi, më nuk është e mundur”, ka shkruar gazeta “Nova”.

Serbia afër zgjedhjeve

Të paktën ambasadat amerikane dhe ruse mirëpritën formulën e kompromisit të Beogradit.

Partnerët e BE-së janë më pak mirëkuptues. Vladimir Bilcik, raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë, e përshkruan refuzimin e sanksioneve nga Beogradi si një “vendim vendimtar të politikës së jashtme” për marrëdhëniet e ardhshme BE – Serbi.

Sreçko Gjukiq, ish-ambasador i Serbisë në Bjellorusi, e tha më qartë: “Është fundi i rrugës evropiane të Serbisë. Ne po largohemi gjithnjë më shumë nga BE-ja".

Image

Karikatura e gazetës “Danas” tregon Vuçiqin duke bërë aktin e sforcuar balancues mes dy karrigeve me rrota, që po largohen gjithnjë e më shumë. Vërtetë Beogradi gjendet në një dilemë të dyfishtë ukrainase. Nga njëra anë, BE-ja kërkon që politika e jashtme e Serbisë të përafrohet me atë të saj. Nga ana tjetër, Moska pret besnikëri nga Beogradi për mbështetjen që ajo ia kishte bërë gjatë luftës në Kosovë – përfshirë këtu edhe refuzimin e sanksioneve.

Përveç kësaj, Vuçiqi nuk dëshiron të shqetësojë elektoratin e tij rusofil. 85 për qind e serbëve dhe 80 për qind e mediave në Serbi janë në anën e Rusisë, “pavarësisht se çfarë ndodh”, ankohet kreu i SNS-së. Për momentin, kameleoni politik Vuçiq duket se vazhdon të mbështetet në një strategji të dyfishtë.