Botë

Çfarë sanksionesh po i vihen Rusisë?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe disa aleatë të tyre kanë nisur vënien e sanksioneve ndaj Rusisë, pasi ky shtet i njohu si shtete të pavarura dy rajone separatiste në Ukrainë.

Gjithsesi, lëvizja e presidentit rus, Vladimir Putin, ende është vetëm në fazën e parë të vënies së sanksioneve të Perëndimit.

Çka është sanksioni?

Sanksioni është një penalti e vënë nga një shtet ndaj tjetrit, zakonisht në mënyrë për të ndalur nga veprimet agresive apo thyerja e së drejtës ndërkombëtare. Sanksionet zakonisht janë të dizajnuara për të lënduar ekonominë e një shteti, apo financat e qytetarëve të caktuar si dhe liderët politikë. Mund të përfshihen edhe ndalimet e udhëtimeve apo embargo armësh. Janë në mesin e masave më të rënda që përdorin shtetet, pa shkuar në luftë.

Çfarë sanksionesh i janë vënë Rusisë?

Bashkimi Evropian ka vendosur të sanksionojë 27 individë dhe organizata ruse, përfshirë bankat. Po ashtu u ka limituar qasjen në tregjet ekonomike – duke ua pamundësuar financimin nëpërmjet bankave të BE-së – dhe duke ndërprerë tregtinë në mes të Be-së dhe dy rajoneve separatiste. Disa nga 351 anëtarët e Dumës (Dhomës së ulët të Parlamentit), janë pjesë e caqeve me sanksione.

Të martën, SHBA-ja njoftoi se synon me sanksione ta lëndojë mundësinë e Rusisë për të financuar ushtrinë e vet. SHBA-ja kishte për cak dy banka shtetërore që thotë se janë çelës i sektorit të Rusisë për mbrojtje. Ato më s’mund të bëjnë biznes në SHBA apo t’i qasen sistemit financiar amerikan.

SHBA-ja ka thënë se po vendos sanksione edhe për pesë elita kyçe ruse dhe po shton masat restriktive ndaj borxhit kombëtar të Rusisë.

Amerikanët tani s’mund të bëjnë biznes me zonat e rebelëve në Luhansk dhe Donets, pasi Rusia i njohu si shtete. Ka urdhëruar që trupat ushtarake të shkojnë aty.

Pak firma amerikane janë aktive në rajon. Por Shtëpia e Bardhë ka thënë se do të zgjerojë sanksionet nëse “Rusia hyn më shumë në Ukrainë”.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka njoftuar për sanksione ndaj pesë bankave ruse dhe tre biznesmenëve të pasur.

“Kjo është vala e parë... Dhe po bëjmë gati sanksione të mëtejme”, ka thënë ai.

Gjithsesi, disa deputetë kanë thënë se Qeveria duhet të jetë më e rreptë.

Në anën tjetër, kancelari gjerman, Olaf Scholz ka vendosur të mos e certifikojë tubacionin e gazit nga Rusia, të njohur si “Nord Stream 2”.

Me çfarë sanksionesh tjera mund të përballet Rusia?

Perëndimi ka kërcënuar sanksione më të rënda nëse Rusia pushton Ukrainën.

Përjashtimi i Rusisë nga SWIFT-i

Një nga masat kryesore që mund të merren është përjashtimi i Rusisë nga Sistemi Bankar Botëror (SWIFT). Kjo do të vështirësonte skajshmërisht punën e bankave të Rusisë.

Gjithsesi, do të kishte kosto ekonomike edhe për shtete perëndimore, bankat e të cilave kanë lidhje me Rusinë.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se ka pak gjasa që të lëshohen sanksione të menjëhershme në rast të pushtimit.

Moslejimi i Rusisë që të përdorë dollarin amerikan

Shtetet e Bashkuara mund t’ia ndalojnë Rusisë kryerjen e transaksioneve financiare me dollarët amerikanë. Një kompani perëndimore që do të lejonte institute ruse të funksionojnë me dollarë do të përballet me dënime.

Kjo mund të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në ekonominë e Rusisë pasi shumica e shitjeve të karburanteve kryhen me dollarë.

Gjithsesi, kjo nënkupton që edhe shtetet evropiane do të prekeshin pasi që do të binte eksporti nga Rusia dhe shumë shtete varen nga gasi rus.

Bllokimi i bankave

Shtetet e Bashkuara mund të fusin në listë të zezë disa banka ruse, duke ua bërë të pamundur që të kryejnë transaksione ndërkombëtare.

Moska do të duhet t’i shpëtojë bankat dhe të shmangë inflacionin e të ndalë rënien e të hyrave. Gjithsesi, kjo do të dëmtonte investitorët perëndimorë që kanë mjete në ato banka.

Pos kësaj, Rusia ka rezerva të rreth 630 miliardë dollarëve në bankën qendrore të saj për t’u mbrojtur kundër “sulmeve” të tilla ekonomike.

Bllokimi i eksportit të teknologjisë në Rusi

Perëndimi mund të bllokojë eksportet e teknologjisë së lartë drejt Rusisë.

Për shembull, SHBA-ja mund të ndalojë shitjen e mikroçipave. Këto pajisje përdoren për gjithçka nga veturat e deri te telefonat mobilë.

Kjo do të ndikonte në sektorët e mbrojtjes dhe aeronautikës së Rusisë, por edhe për gjithë ekonominë.

Gjithsesi, do të dëmtonte edhe kompanitë që eksportojnë produkte teknologjike.

Kufizimet e energjisë

Ekonomia e Rusisë varet në të madhe nga shitja e gazit dhe karburanteve dhe vendet perëndimore mund të refuzojnë blerjen e tyre nga gjigantët rusë të energjisë si “Gazpromi” ose “Rosneft”.

Sërish, gjithsesi, kjo do të çonte në ngritjen e çmimeve dhe mungesë të tyre në Evropë. Veç Gjermania një të tretën e furnizimit me gaz e ka të varur nga Rusia.

Kufizimi i qasjes së Rusisë në institucionet financiare të Londrës

Aq e lartë është niveli i parasë ruse dhe pronave në Britani të Madhe, sa që kryeqyteti i saj është i njohur edhe si “Londongrad”.

Britania e Madhe ka thënë se do të merret me këtë problem “me urdhra të pashpjeguar”, që do të kërkonin që njerëzit të tregojnë nga kanë marrë gjithë ato para.

Vështirësitë për Perëndimin

Shtetet perëndimore kanë koordinuar planet për disa sanksione të rënda nëse Rusia ndërhyn për pushtim të madh të Ukrainës.

Çka parashihet të ndodhë nëse merren vetëm hapa të vegjël nga Rusia?

Diplomatët evropianë dhe amerikanë kanë thënë se shtetet perëndimore janë më pak të bashkuar në mënyrën se s’i t’u përgjigjen skenarëve të ndryshëm.

Disa shtete që kanë lidhje të afërta me Rusinë – si Hungaria, Italia dhe Austria – mund të mos jenë të pajtimit për sanksione të mëdha.