Të dhëna të rëndësishme janë nxjerrë nga një sinjalizues i njërës prej bankave më të mëdha të botës, “Credit Suisse”. Aty fshihet pasuria e kamur e klientëve, në mesin e të cilëve edhe njerëz të përfshirë në tortura, trafikim droge, shpëlarje parash, korrupsion dhe krime tjera serioze, ka shkruar britanikja “Guardian” në një hulumtim të gjatë që i është bërë nga disa organizata mediatike institucionit të fuqishëm financiar të Zvicrës.
Detaje të llogarive bankare të lidhura me 30 mijë klientë të “Credit Suisse” nga e mbarë bota janë pjesë e informacioneve të siguruara nga sinjalizuesit. Ato zbulojnë përfitimet e më shumë se 100 miliardë frangave zvicerane të ruajtura në njërin prej institucioneve më të njohura financiare të shtetit helvetik.
Aty përfshihen një trafikant i qenieve njerëzore në Filipine, një bos i burgosur i bursës nga Hong-Kongu, një miliarder, i cili kishte urdhëruar vrasjen e të dashurës së një yllit libanez të muzikës pop dhe shefa ekzekutivë që kishin plaçkitur kompaninë shtetërore të naftës të Venezuelës, si dhe politikanë të korruptuar nga Egjipti dhe Ukraina.
Një llogari bankare në pronësi të Vatikanit ishte përdorur për të shpenzuar 350 milionë euro në një investim të dyshimtë në patundshmëri në Londër që është në qendër të gjykimit të vazhdueshëm me shumë të akuzuar, përfshirë një kardinal.
Dhjetëra mija faqe dokumentesh të të dhënave bankare të siguruara nga një informator anonim për gazetën gjermane, “Suddeutsche Zeitung”, spikasin përmasat e skandalit të madh të bankës zvicerane. “Unë besoj se ligjet për sekretin financiar të Zvicrës janë jomorale”, ka deklaruar sinjalizuesi, duke e konsideruar të turpshëm rolin e bankave zvicerane si “bashkëpunëtore të atyre që u shmangen taksave”. Në podkastin e “Guardianit”, gazetarët hulumtues kanë treguar gjithashtu se banka kishte edh ellogari të ish-figurave të njohura naziste, që ishin zhvendosur në Argjentinë.
Informacoine më të hollësishme për skandalin e madh financiar, mund t’i lexoni në numrin e nesërm të “Kohës Ditore”