Botë

Mashtrimi i libanezëve nga ISIS-i

Shumë libanezë janë në varfëri pasi monedha libaneze është shembur, vlera e pagave dhe e llogarive bankare është avulluar dhe çmimet janë rritur. Edhe para krizës, Tripoli ishte qyteti më i varfër i Libanit dhe gjërat janë përkeqësuar me mijëra burra të rinj që enden rrugëve

Dy javë para se të martohej, Bakr Seif i tha nënës se po dilte të takohej me të fejuarën dhe para drekës do të kthehej në shtëpi. Ama kur nuk erdhi gjatë mbrëmjes, nëna i telefonoi të fejuarës së birit. Ajo i tha se nuk ishte takuar me të.

Atë ditë, më 8 dhjetor, ishte hera e fundit që nëna e Seifit e pa atë. Javën e kaluar, ai ishte mes nëntë personave të vrarë në një sulm ajror të Ushtrisë irakiane që i kishte cak militantët e dyshuar në Irakun lindor. Të paktën katër prej tyre ishin libanezë, të gjithë nga fshati i varfër pranë qytetit verior të Tripolit.

Teksa Libani rrëshqiste më thellë në mjerim ekonomik gjatë muajve të fundit, dhjetëra të rinj janë zhdukur nga veriu i margjinalizuar i vendit. Më vonë janë parë në Irak, ku besohet se i janë bashkuar grupit të Shtetit Islamik. Migrimi ka ngjallur frikën për një valë të re rekrutimi radikal, duke përfituar nga zhgënjimi dhe dëshpërimi i nxitur nga tkurrja ekonomike dhe tensionet sektare.

Shumë libanezë janë në varfëri pasi monedha libaneze është shembur, vlera e pagave dhe e llogarive bankare është avulluar dhe çmimet janë rritur. Edhe para krizës, Tripoli ishte qyteti më i varfër i Libanit – dhe gjërat janë përkeqësuar me mijëra burra të rinj që enden rrugëve.

Mirëpo, nuk është vetëm varfëria që i shtyn disa të rinj të bashkohen me ISIS-in. Tripoli dhe zonat përreth janë gjithashtu qendër për shumë nga komuniteti mysliman sunit i Libanit, të cilët janë të indinjuar me atë që thonë se është neglizhencë nga Qeveria në Bejrut. Forcat e sigurisë kanë shënjestruar të rinjtë sunitë në goditjet kundër militantëve dhe aktivistët kanë thënë për vite me radhë se mijëra janë arrestuar pa gjyq për shkak të dyshimeve për lidhje me militantët.

Image
Nëna e Omarit thotë se ai ishte ngacmuar prej kohësh nga zyrtarët libanezë të sigurisë. Ai kaloi vite në burg, edhe kur ishte ende i mitur, gjithashtu për dyshime për terrorizëm, thotë ajo. Pas lirimit të tij, ai u ndalua vazhdimisht për periudha të shkurtra, kur policia e rrihte deri në alivanosje

Tortura të rënda

Nëna e Seifit besonte se djali i saj po mbahej nga inteligjenca libaneze. Mirëpo, pesë ose gjashtë ditë para se të vritej, ai e telefonoi. Kjo qe hera e parë që ia dëgjonte zërin qëkur ishte zhdukur pa gjurmë. Nuk tregoi vendndodhjen, mirëpo vetëm i kishte thënë nënës se i kishin bërë padrejtësi. “Më kanë bërë padrejtësi, më kanë bërë padrejtësi”, tregon e ëma.

Seif kishte kaluar shtatë vjet burgim nën dyshimin për “akte terrorizmi”. U lirua pa gjyq gjatë muajit qershor të vitit 2021. Familja i qëndron pafajësisë së tij dhe ia hapi një shitore ushqimore për të punuar, pasi askush tjetër nuk do ta punësonte pas lirimit.

“Ai jetonte në frikë të vazhdueshme. Ai më thoshte: ‘Nuk i besoj askujt përveç familjes sime’”, thotë nëna e tij.

Udhëheqësi më i lartë i ISIS-it, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi, u vra të enjten në një bastisje të SHBA-së në folenë e tij në Sirinë veriperëndimore. Ekspertët besojnë se teksa eliminimi i tij mund të shkaktojë përçarje afatshkurtër, grupi mund ta zëvendësojë atë dhe të vazhdojë fushatën e dhunës në Irak dhe Siri.

Numri i libanezëve që me sa duket i bashkohen IS-it nuk është aspak i afërt me qindra që shkuan në Sirinë fqinje për t'u bashkuar me grupin terrorist atje, përfshirë ata të lidhur me Al-Qaedan, në kulmin e luftës civile të vendit. Që kur u zbeh lufta në Siri para disa vitesh, numri i libanezëve që u futën në radhët e ISIS-it nisi të rritej.

Zhdukja e të rinjve

Migrimi për t’iu bashkuar ISIS-it në Irak duket të jetë gjë e re. Avokati Mohammed Sablouh, i cili drejton Qendrën për të Drejtat e të Burgosurve, thotë se 70 deri në 100 të rinj u zhdukën nga zona e Tripolit në muajt e fundit, megjithëse numri i saktë nuk dihet.

Ata ishin nga rrethet më të varfra në dhe përreth Tripolit, dhe disa mund të jenë joshur nga premtimi për vende pune, duke mos kuptuar se po i bashkoheshin ISIS-it, thotë ai. Të tjerët kishin frikë nga arrestimet.

“Këta njerëz po manipulohen nga forcat e errëta të udhëhequra nga ata që përfitojnë nga ringjallja e Daesh-it dhe duan ta dëmtojnë imazhin e Tripolit”, thotë Sablouh, duke përdorur akronimin arab për ISIS-in.

Përveç vdekjeve në sulmin e së dielës, të paktën dy libanezë të tjerë janë vrarë në Irak që nga dhjetori.

Tripoli ka qenë skenë e dhunës militante në të kaluarën – më e rënda në vitin 2014, kur militantët e frymëzuar nga grupi i Shtetit Islamik kryen sulme kundër ushtrisë së Libanit.

Zhdukjet e të rinjve filluan të rriteshin në fund të gushtit, jo shumë kohë pasi ish-anëtari i inteligjencës ushtarake, Ahmad Murad, u qëllua për vdekje në Tripoli.

Në bastisjen pasuese, ushtria deklaroi arrestimin e një celule të ISIS-it që përfshinte gjashtë militantë të përfshirë në vrasjen e Muradit. Duket se kapja e grupit bëri që celulat e tjera të ISIS-it në veri të arratiseshin.

Mbetjet e ISIS-it kanë zhvilluar një fushatë sulmesh të shpeshta në Siri dhe Irak që kur grupi humbi pjesën e fundit të territorit në Siri në marsin e vitit 2019.

Së fundmi, filluan dy nga operacionet e tyre më të guximshme deri më tani.

Sulmet në Siri

Më 20 janar, rreth 200 militantë të ISIS-it sulmuan burgun në qytetin verilindor të Sirisë, Hassakeh dhe atyre iu bashkuan të burgosurit. U desh më shumë se një javë që luftëtarët e udhëhequr nga kurdët të mbështetur nga SHBA-ja të rifitonin plotësisht kontrollin mbi burgun në luftimet, në të cilat mbetën të vdekur afro 500 persona, përfshirë disa qindra militantë, thonë zyrtarët kurdë.

Më 21 janar, persona të armatosur të ISIS-it në Irak hynë në një kazermë në zonën malore të provincës Diyala, vranë një roje dhe qëlluan për vdekje 11 ushtarë teksa flinin.

Të dielën, ushtria e Irakut kreu sulme ajrore ndaj një celule të ISIS-it që thuhej se qëndronte pas sulmit në kazermë, duke vrarë nëntë militantë, përfshirë libanezët.

Zyrtarët irakianë thanë se katër libanezë u vranë. Familjet dhe kryebashkiaku i Wadi Nahleh, Fadel Seif, thanë se ishin pesë – Bakr Seif, kushëriri i tij Omar Seif dhe tre shokë, Youssef Shkheidem, Omar Shkheidem dhe Anas Jazzar. Familja e gjerë Seif është më e madhja në fshat.

“Ka disa faktorë që i bëjnë të rinjtë të largohen dhe kryesori është mungesa e vendeve të punës”, thotë kryebashkiaku.

Nëna e Omar Seifit thotë se ai u zhduk në ditën e fundit të vitit 2021 dhe e telefonoi disa ditë më vonë nga një numër që ajo nuk e njihte. Ajo informoi autoritetet libaneze, të cilat i thanë se Omari ishte në Irak, duke përdorur një numër telefoni azerbajxhanas. “Unë thashë, ai ka vdekur (për mua). Unë nuk e rrita atë për ta dërguar në Irak apo ... Siri apo ndonjë vend tjetër”, thotë ajo.

Të dielën, ajo mori një telefonatë nga një numër tjetër i panjohur, duke i thënë se djali i saj ishte vrarë.

Nëna e Omarit thotë se ai ishte ngacmuar prej kohësh nga zyrtarët libanezë të sigurisë. Ai kaloi vite në burg, edhe kur ishte ende i mitur, gjithashtu për dyshime për terrorizëm, thotë ajo. Pas lirimit të tij, ai u ndalua vazhdimisht për periudha të shkurtra, kur policia e rrihte deri në alivanosje.

“Burgu na shkatërroi. Na dogji fëmijët, reputacionin dhe dinjitetin tonë. Na dogji paratë. Edhe babai i tij vdiq në burg,” thotë ajo, duke folur në dhomën e ditës së apartamentit të saj të vogël. Në përdhese me mure të qëruar priste miqtë dhe të afërmit që hynin për të shprehur ngushëllime.

Ajo thotë se Omari nuk mund të jetonte një jetë normale ose të punonte, sepse autoritetet ia hoqën zyrtarisht të drejtat e tij civile, që do të thotë se nuk mund të votonte ose të merrte një punë në qeveri.

“Kur një i ri që është midis 15 dhe 30 vjeç nuk mund të martohet, të blejë asgjë ose të hyjë në një restorant për të ngrënë një vakt si të gjithë njerëzit, sigurisht që ai do të zgjedhë vdekjen dhe do të jetë një objektiv i lehtë”.