Një mësues i historisë nga shteti amerikan, Gjeorgjia, votues i Bidenit, do t'ia jepte notën C duke fajësuar presidentin që nuk i dha fund diskutimit në Senat dhe mbështeti planin e tij për rimëkëmbje. Ndërsa një infermiere në pension, në Iowa, mbështetëse e Pete Buttigiegit në zgjedhjet paraprake demokrate, thotë se është e impresionuar nga mënyra se si Bideni ka ruajtur dinjitetin e Presidencës. Në anën tjetër, një votues nga Arizona i ish-presidentit Donald Trump thotë se viti i parë i Bidenit ka qenë "shumë i keq"
Ardhja e presidentit amerikan, Joe Biden, në detyrë në një kohë tejet të polarizuar në historinë amerikane bëri që qytetarët e Amerikës të kenë mendime të ndryshme rreth performancës së tij në njëvjetorin e marrjes së detyrës.
Një mësues i historisë nga shteti amerikan, Gjeorgjia, votues i Bidenit, do t'ia jepte notën C, duke fajësuar presidentin që nuk i dha fund diskutimit në Senat dhe mbështeti planin e tij për rimëkëmbje. Ndërsa një infermiere në pension, në Iowa, mbështetëse e Pete Buttigiegit në zgjedhjet paraprake demokrate, thotë se është e impresionuar nga mënyra se si Bideni ka ruajtur dinjitetin e Presidencës. Në anën tjetër, një votues nga Arizona i ish-presidentit Donald Trump thotë se viti i parë i Bidenit ka qenë "shumë i keq" duke përmendur mbylljen e tubacionit të naftës "Keystone XL" dhe tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani.
Ja se çfarë tjetër thonë amerikanët rreth punëve të Bidenit deri më tani:
Votuesi i dikurshëm i Trumpit
Craig Prichard beson se Donald Trumpi duhet të jetë në burg. Ai nuk u ngjan kundërshtarëve tipikë të Trumpit, ngase votoi për të në vitin 2016, por jo edhe në 2020-n. 65-vjeçari është ende i zemëruar me Trumpin për shkak të sulmit në Kapitol më 6 janar dhe beson se Trumpi ishte ai që e shkaktoi atë. Pastaj mënyra e Trumpit për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit bëri që ai të mos e votonte më më 2020.
"Trumpi bënte sikur COVID-i po largohej vetvetiu dhe kjo nuk ishte mënyra e duhur për t'u kujdesur me situatën", tha Richard.
Richard, i cili për 40 vjet ndërtoi makineri bujqësore, punoi në ndërtimtari dhe doli në pension pas një periudhe pune në një fabrikë të paketimit të mishit, thotë se Bideni po trajton situatën me COVID “aq mirë sa mundet", ndërsa merret me një sërë çështjesh të tjera.
"Ai po mundohet ta përballojë pandeminë, çështjen e ushqimeve, çmimet e gazit, Rusinë, të gjitha në të njëjtën kohë dhe nuk i intereson se si duket nga jashtë, krejt ndryshe nga Trumpi", thotë Richard. "Edhe pse gjendet në vështirësi të mëdha, megjithatë ka më pak njerëz që vdesin nga COVID-i krahasuar me kohën kur Trumpi ishte në detyrë”.
Mësuesi që e vlerëson Bidenin me notën C
Kai Uchimura, mësues i historisë në shkollë të mesme, Gjeorgji, votoi për Bidenin në vitin 2020. Deri më tani do ta vlerësonte Bidenin me notën C.
Uchimura, 26-vjeç, e përshkruan veten si majtist në shumicën e çështjeve, megjithëse nuk është një demokrat i regjistruar. Ai thotë se e mbështet projektligjin e politikës sociale të Bidenit që ka mbetur i bllokuar në Kongres, por mendon se demokratët kanë bërë një punë të dobët për të shpjeguar përfitimet e këtij projektligji.
"Rreth planit të rimëkëmbjes askush nuk e dinte se çfarë ishte përveç kostos së tij", thotë ai. Gjithashtu, ai fajëson Bidenin që nuk i dha fund më herët debatit në Senat që kërkonte 60 vota për të vënë në zbatim legjislacionin. Javën e kaluar, për herë të parë, Bideni kërkoi të debatohej dhe të votohej mbi legjislacionin për zgjedhjet dhe të drejtat e votës.
"E di se kur ai po merrte detyrën kishte këtë mesazh të përpjekjes për të bashkuar vendin dhe për të ndihmuar njerëzit", thotë Uchimura. "Por do të doja që ai ta kuptonte më herët se kjo epokë e ekzistimit të dy partive është më e vështirë sesa duket".
Votuesja e Bidenit që dënon polarizimin politik
Lynn Manning-John, drejtoreshë shkolle, është e kënaqur me vitin e parë të Bidenit në detyrë, por shqetësohet se presidenca e tij ka polarizuar më shumë komunitetin e saj.
Në një market të "Walmart" në Elko County, Nevada, rajon i cili mbështeti shumë ish-presidentin, ajo dëgjoi klientët që ankoheshin për mënyrën sesi agjenda e Bidenit është shpërndarë "në një shtet të Trumpit".
"Është vetëm një ngurrim për të mbështetur presidentin aktual", thotë një votues i pavarur 45-vjeçar. "Vërehet një mospërkrahje në çdo gjë që bën ai, edhe nëse është diçka e mirë dhe e arsyeshme".
Ajo ishte veçanërisht e lumtur me emërimin nga Bideni të Deb Halaandit, bashkatdhetare amerikane vendase, si sekretare e Brendshme.
Kryeinspektori dhe pesë nga shtatë anëtarët e bordit të shkollës në Elko dhanë dorëheqje vitin e kaluar gjatë protestave nga grupet e prindërve kundër planeve mësimore për barazinë dhe diversitetin në pjesët e vendit jashtë Rezervuarit Indian të Duck Valley.
Votuesi i Bidenit, i vëmendshëm ndaj liberalëve
Patrick Sweeney votoi për Bidenin, por ka qenë i zhgënjyer që presidenti nuk ka kundërshtuar më shumë krahun e majtë të Partisë Demokratike.
"Do të doja që ai të mos rrinte neutral dhe të thoshte se ‘kjo është ajo që përfaqëson Partia Demokratike’”, thotë Sweeney, arsimtar 62-vjeçar në pension, në periferi të Phoenixit. Ai nuk është i lidhur me asnjë parti politike.
"Pra, shumë nga bisedat duket se fokusohen në krahun e majtë ekstrem të Partisë Demokratike dhe pozicionet progresive", thotë ai. "Unë mendoj se ai duhet të jetë më i vendosur në kundërshtimin e kësaj". Tutje, Sweeney deklaron se është i kënaqur me projektligjin e infrastrukturës që Bideni nënshkroi, por dëshiron që të ndalet e gjithë kjo, meqë po ka një rritje masive të shpenzimeve të shërbimeve sociale.
"Isha entuziast për planin fillestar të infrastrukturës", thotë ai. "Mendoj se është vonuar shumë dhe isha shumë i lumtur që po ndodhte, dhe mendoj se mund të kishte qenë dhe duhej të kishte qenë një arritje e madhe. Pra, të marrësh buldozerët dhe lopatat dhe të punonin". Ai shton se plani i rimëkëmbjes ka shumë gjëra që nuk i sheh si të nevojshme për të, ose nuk e di nëse qeveria federale është zgjidhja e duhur për të.
Votuesi i Trumpit që nuk u befasua
Eric Ollarsaba thotë se Presidenca e Bidenit ka qenë "shumë e keqe". Por që nuk është i befasuar.
"Ai po bën pothuajse atë që unë prisja të bënte", thotë Ollarsaba nga Phoenix, i cili punon si shitës i makinave në internet. "Ai është një politikan karriere".
Phoenix është i zhgënjyer që Bideni mbylli tubacionin e naftës "Keystone XL" dhe u tmerrua nga tërheqja kaotike e ushtrisë amerikanë nga Afganistani.
"Me siguri se ne do të varemi nga vendet e tjera për energjinë, gjë të cilën e shoh si një konflikt të mundshëm ose ne do të përfshihemi në një luftë tjetër", thotë Ollarsaba. "Mendoj se ne ende kishim nevojë për praninë e SHBA-së në Afganistan. Jo me operacione të mëdha ushtarake, por vetëm të ishim atje dhe në këtë mënyrë ai vend do të ishte më pak i rrezikshëm për Shtetet e Bashkuara”.
Demokratja që ndërroi mendjen
Bideni nuk ishte zgjidhja e parë për Kathlen Paul. Infermierja 74-vjeçare, tashmë në pension, pëlqeu Pete Buttigiegin në zgjedhjet paraprake demokrate.
"Mendova se Bideni i ngjante një tipi qesharak. Ai thoshte gjëra që ishin aq të paqarta në kohën kur Barack Obama ishte president. Dhe thashë: ‘A mund ta marrim vërtet seriozisht këtë djalë?’” Por, me kalimin e kohës, ajo ndërroi mendjen.
"Më ka bërë vërtet përshtypje mënyra se si ai e ruan dinjitetin e zyrës, mënyra se si ai shprehet", thotë Paula nga Iowa. "E dija se ai kishte përvojë dhe kishte kaluar ca tragjedi, por nuk e dija se ai mund t'ia dilte kështu". Megjithatë, ajo ishte e mërzitur nga tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani, duke thënë se administrata duhet të kishte parashikuar ca gjëra, si për shembull, shpërthimin e bombave me ç'rast njerëzit vrapuan nëpër pistat pas aeroplanëve".
Votuesja që i kërkon Bidenit të mburret
Natalie Rawlings, demokrate e regjistruar e cila votoi për Bidenin, thotë se presidenti nuk vlerësohet mjaftueshëm për gjërat e mira që bën, si për shembull, tregu i fortë i punës që e ka bërë më të lehtë për punëtorët të ndryshojnë vendet e punës. Megjithatë, ajo mendon se mungesa e vlerësimit është pjesërisht faji i tij.
"Nuk e di përse nuk po arrin t'ia dalë me mesazhet që po pretendon të shpërndajë", thotë Rawlings, 50-vjeçarja nga Atlanta. "A po mendon Bideni se planet e tij do të funksionin pa u sqaruar apo çfarë?
Ajo gjithashtu mendon se Bideni ka mbivlerësuar aftësitë e tij për t'i bindur ish-kolegët e tij në Senat për të mbështetur agjendën e tij.
Votuesi i Trumpit, i befasuar nga Bideni
J.J. Goicoechea, fermer nga Eureka, Nevada, votoi për Trumpin dhe planifikon të votojë sërish për republikanët, por ai thotë se është befasuar me iniciativat bujqësore të administratës Biden, duke përfshirë ato për ferma të vogla familjare dhe për ferma tjera si të tijat.
Fermat kanë marrë më shumë se 1 miliard dollarë ndihmë qëkur Bideni mori detyrën. Administrata ka punuar për të financuar përpunuesit e pavarur, pasi u mbyllën fabrikat e mishit gjatë pandemisë dhe i angazhoi fermerët në lidhje me ndryshimet klimatike, duke punuar për t'i nxitur ata të zvogëlojnë emetimet e karbonit përmes taktikave si mbjellja e kulturave që kapin karbonin.
Punëtorja sociale që po e rishqyrton votën
Gina Massiah votoi me ngurrim për Bidenin, duke konsideruar atë si më të mirin nga dy opsionet e këqija. Por tani punonjësja sociale 49-vjeçare, nuk është aq e sigurt.
"Po, kishte shumë ndarje më parë", thotë banorja e Bruklinit për epokën e Trumpit. Por me Trumpin "e dinit se çfarë po merrnit".
"Se a ishte fanatik? Po, madje i gjithi. Por asnjë prej nesh nuk është i përkryer. Për më tepër, mendoj se ai do të kishte bërë shumë më tepër nëse do të ishte rizgjedhur". Ajo shton: "Unë absolutisht e favorizoj krahasuar me Bidenin. Dhe mund të tingëllojë çuditshëm ngase e thotë një person afro-amerikan si unë", tha ajo, "por kështu ndihem".
Massiah, demokrate e regjistruar, tashmë nuk ndihet e lidhur me asnjërën nga palët. Ajo e fut Bidenin me politikanët e tjerë që bëjnë premtime të mëdha, por "ju harrojnë" sapo të marrin detyrën. Ajo është e rraskapitur dhe thotë se thjesht është ngopur prej këtyre gjërave.
Përktheu: Leutrime Rekaliu