Botë

Nafta dhe gazi mund të shtrenjtohen nëse Rusia pushton Ukrainën

Nëse Rusia ndërmerr ofensivë ushtarake në Ukrainë, ka shumë mundësi që çmimet e naftës dhe gazit të rriten më tej.

Sipas CNN-it, çmimet e naftës tashmë janë më të lartat në shtatë vitet e fundit.

Shtëpia e Bardhë paralajmëroi se pushtimi rus i Ukrainës mund t’i rrisë çmimet edhe më shumë.

Arsyeja për këtë është se Rusia është prodhuesi i dytë më i madh i naftës në botë, pas Shteteve të Bashkuara. Nga ana tjetër, Ukraina është një nga vendet kyç në dërgimin e gazit rus në vendet evropiane.

Ka shumë mundësi që presidenti rus Vladimir Putin të reagojë ndaj sanksioneve që do t’i viheshin për shkak të sulmit ndaj vendit fqinj, duke rritur çmimet e naftës dhe gazit. Gjithashtu, rritja e çmimeve mund të ndodhë nga dëmet që do të shkaktoheshin nga lufta në infrastrukturën e shpërndarjes së këtyre burimeve të energjisë.

CNN-i shkruan se aktualisht nuk mund të konkludohet se sa do të ishte rritja e çmimit dhe sa do të zgjaste. Tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës, përkatësisht Perëndimit, kanë kontribuar tashmë në rritjen e çmimit të naftës këtë javë.

Edhe rritjen e çmimit të gazit rus po e vërejnë evropianët. Problemi mund të përkeqësohet më tej nëse Gjermania mbyll gazsjellësin Nord Stream 2, siç ka njoftuar kancelari Olaf Scholz në fillim të kësaj jave. Nëse ndalet, furnizimi me gaz do të kufizohej më tej.

Analistët theksojnë se ky rast tregon gjithashtu se energjia është një nga asetet më të rëndësishme të politikës së jashtme të Rusisë, shkruan CNN.