Botë

BE-së gjithnjë e më shumë po i afrohet lufta

Gjendja në Bruksel është e tensionuar. Ekziston frika se Evropa po shkon drejt një krize sigurie gjatë dekadave të ardhshme. Tensionet e ngritura kanë rindezur debatin në Finlandë dhe Suedi rreth çështjes se a duhet ato t’i bashkohen NATO-s. Por shqetësimi i përgjithshëm në Perëndim - Uashington, NATO, Mbretërinë e Bashkuar dhe në BE - është më pak rreth luftës së mundshme në Ukrainë dhe më shumë rreth faktit së Moska po mundohet ta ndajë dhe ta destabilizojë Evropën

Evropa është më afër luftës tani se që ishte që nga ndarja prej ish-Jugosllavisë. Fjalë të ashpra paralajmëruese vijnë nga diplomati i lartë i Bashkimit Evropian për tensionet aktuale me Moskën, për vendosjen e ushtrisë së saj të madhe në kufi me Ukrainën.

Gjendja në Bruksel është shqetësuese. Ekziston frika që Evropa mund të jetë duke shkuar drejt një krize sigurie gjatë dekadave të ardhshme. Por kjo frikë nuk është e tëra rreth luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Disa njerëz besojnë se Moska ka fuqinë ushtarake, prandaj nuk shqetësohet për para apo për mbështetjen nga populli, shkruan BBC-ja në një analizë të gjatë bërë zhvillimeve të fundit ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.

“Pasojat ekstreme”

BE-ja paralajmëron Kremlinin për “pasoja ekstreme” në qoftë se merr veprime ushtarake ndaj Ukrainës. Ministrja e re e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha pikërisht këtë gjë në Kiev dhe në Moskë të hënën.

Suedia dërgoi qindra trupa ushtarake gjatë vikendit në ishullin e saj të rëndësishëm strategjik - Gotland - i cili shtrihet në Detin Baltik. Ndërsa Danimarka ka përforcuar praninë e saj në rajon disa ditë para kësaj, analizon BBC-ja.

e ngritura kanë rindezur debatin në Finlandë dhe Suedi rreth çështjes se a duhet ato t’i bashkohen NATO-s. Por shqetësimi i përgjithshëm në Perëndim - Uashington, NATO, Mbretërinë e Bashkuar dhe në BE - është më pak rreth luftës së mundshme në Ukrainë dhe më shumë rreth faktit se Moska po mundohet ta ndajë dhe ta destabilizojë Evropën.

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, tregoi në fund të vitit të kaluar se Perëndimi kishte nevojë të “zgjohej nga gjumi i tij gjeopolitik” në lidhje me synimet e Moskës. Në mbishkrimin e medias, kryeministri i Polonisë thotë se Rusia dhe aleatët e saj duan ta "përçajnë" BE-në. Shtetet fqinje të Bashkimit Evropian thonë se tani janë “zgjuar nga gjumi” dhe po e kuptojnë të vërtetën e kësaj situate.

Por, siç ndodh shpesh kur bëhet fjalë për politikën e jashtme, udhëheqësit e BE-së janë larg një vendimi të përbashkët rreth faktit se çfarë veprimi duhet të ndërmarrin.

“Përparësitë” e Rusisë karshi BE-së

Image

Sikur marrëdhëniet pas-Brexit të ishin më të qeta midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian, do të kishte më shumë negociata me një ndërmjetës midis Londrës, Berlinit dhe Parisit për të krahasuar dhe diskutuar idetë, e ndoshta edhe të binin dakord për një mënyrë të përbashkët veprimi


Moska e mohon se po planifikon një ndërhyrje luftarake, pavarësisht faktit të zhvendosjes së trupave në kufi me Ukrainën. Por ajo i ka dhënë NATO-s një listë të kërkesave të sigurisë.

Duke fajësuar Aleancën për “nënvlerësimin e sigurisë rajonale, Vladimir Putin këmbëngul se NATO-ja të mos e anëtarësojë Ukrainën bashkë me shtetet e tjera ish-sovjetike që gjithashtu duan të bëhen pjesë e organizatës më të madhe ushtarake të botës, shkruan transmetuesi britanik BBC.

NATO-ja ka refuzuar kategorikisht dhe tri samitet e mbajtura gjatë javës së kaluar, midis Rusisë dhe aleatëve perëndimorë, që kanë dështuar të arrijnë një gjuhë të përbashkët. Ajo çfarë Vladimir Putin po planifikon të bëjë në vazhdim, është ende e paqartë. Por Perëndimi beson se Kremlini ka investuar shumë në manovrat e tij publike për Ukrainën për t’u tërhequr tani.

Administrata e Bidenit po pret me padurim për një qëndrim të fuqishëm të BE-së për sanksionet e mundshme, varësisht se çfarë veprimesh ndërmerr Moska, qofshin ato sulme ushtarake ndaj Ukrainës, sulme kibernetike, fushata dezinformimi apo sulme hibride.

Optimistët e BE-së parashikojnë se blloku do të bjerë dakord me një sërë sanksionesh deri më 24 janar, kur do të mbahet takimi i ardhshëm i ministrave të jashtëm, por kjo nuk është aspak e garantuar. Një numër i shteteve të Bashkimit Evropian janë të pasigurta për koston e sanksioneve eventuale rreth ekonomisë së tyre. Brukseli zakonisht diskuton ndarjen e përgjegjësive, por rezultati i këtyre negociatave mund të mos u pëlqejë të gjithëve.

“Ekziston gjithashtu një shqetësim në vendet e Bashkimit Evropian për furnizimet me gaz nga Rusia, sidomos me këto çmime që tashmë janë shumë të larta për familjet evropiane këtë dimër. Uashingtoni thotë se po shikon të gjejë një mënyrë për të zbutur ndikimin në furnizimet me energji dhe dëshiron ta nxitë Bashkimin Evropian për të rënë dakord për një qëndrim të fortë për sanksionet - duke e ditur shumë mirë se për politikën e jashtme miratimi duhet të jetë i njëzëshëm midis shteteve anëtare”, vlerëson BBC-ja.

Ndikimi post-Brexit

Sikur marrëdhëniet pas-Brexit të ishin më të qeta midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian, do të kishte më shumë negociata me një ndërmjetës midis Londrës, Berlinit dhe Parisit për të krahasuar dhe diskutuar idetë, e ndoshta edhe të binin dakord për një mënyrë të përbashkët veprimi.

Diplomatët e Brukselit e përshkruajnë Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar si "shumë të përfshirë në skandale politike të brendshme për ta pasur gjeopolitikën punë primare tani", por ata pranojnë hapur se Mbretëria e Bashkuar është plotësisht e angazhuar në çështjen Rusi-Ukrainë brenda NATO-s.

Të hënën, sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, njoftoi se Britania po furnizonte Ukrainën me raketa për vetëmbrojtje. Ai tha se një ekip i vogël i trupave britanike do të ofrojë edhe trajnim.

Wallace më herët paralajmëroi Moskën se do të kishte "pasoja" për çdo agresion të Rusisë ndaj Ukrainës. Britania do të "përballet me ngacmuesit", tha ai, pavarësisht sa i largët është konflikti.

Uashingtoni këmbëngul se nuk ka kohë për të humbur dhe thotë se Kremlini po mundohet të gjejë një pretekst për pushtim - duke fajësuar Ukrainën për një sulm që do të kryenin operativët rusë. Kremlini e hodhi poshtë deklaratën e Uashingtonit dhe e konsideroi si "të pabazë".

Por zyrtarët amerikanë thonë se Moska po përgatitet ta përsërisë atë që kishte bërë në vitin 2014, kur e akuzoi Kievin për abuzime përpara se forcat e mbështetura nga Kremlini të fitonin kontroll mbi gadishullin jugor të Ukrainës, Krime. Ky territor, ku shumica e qytetarëve flasin rusisht, kishte votuar për t'u bashkuar me Rusinë në një referendum që Ukraina dhe Perëndimi e konsiderojnë të paligjshëm. Pas kësaj, mijëra njerëz vdiqën në konfliktin që pasoi në Ukrainën lindore.

Perëndimi po përgatitet për atë që mund të ndodhë tash e tutje, përfundon analiza e BBC-së.

Përktheu: Marigona Avdimetaj