Deputeti i partisë së Boris Johnsonit, David Davis, i është bashkuar thirrjeve që Boris Johnson të japë dorëheqje, duke i thënë kryeministrit të Britanisë: “Në emër të Zotit, shko”.
Veterani konservator tha se kryeministri kishte dështuar të merrte përgjegjësinë për veprimet e tij.
“Pres që udhëheqësit e mi të marrin përgjegjësi për veprimet që i bëjnë. Dje, ai bëri të kundërtën”, tha Davis në mes tjerash.
Vërejtjet e Davis erdhën pasi deputeti Christian Wakeford, kaloi te laburistët, disa minuta para se të fillonin pyetjet e kryeministrit.
Kritikat e Davis dhe largimi i Wakeford kanë ardhur derisa Johnson po lufton për të shpëtuar postin e tij të kryeministrit pasi pranoi që mori pjesë në një event në Downing Street gjatë bllokimit të parë për shkak të COVID-19, raporton BBC.
Deri më tani, gjashtë deputetë konservatorë kanë deklaruar publikisht mosbesimin ndaj kryeministrit. Udhëheqësi konservator skocez, Douglas Ross, një nga ata që bëri thirrje për dorëheqjen e Johnson, tha se një votë mosbesimi po afrohej.