Botë

20 vjet të Guantanamos: Trashëgimi e “padrejtësisë” dhe “abuzimit”

Avokatët reflektojnë mbi “trashëgiminë neveritëse” të qendrës së mbajtjes dhe i kërkojnë presidentit amerikan, Joe Biden, që të marrë masa dhe ta mbyllë menjëherë burgun ushtarak të hapur në kuadër të “luftës kundër terrorit” pas sulmeve të 11 shtatorit 2001

20 vjet pas hapjes së burgut në Gjirin e Guantanamos, avokatët thonë se objekti i paraburgimit ushtarak amerikan përfaqëson dy dekada padrejtësie – dhe se duhet të mbyllet.

I vendosur në bazën ushtarake amerikane në Kubë në vitin 2002 nga administrata e ish-presidentit George W. Bush, burgu kishte për qëllim të privonte të burgosurit e "luftës kundër terrorit" pas 11 shtatorit nga të drejtat kushtetuese, që do të gëzonin në tokën amerikane, shkruan “Al-Jazeera”.

Vendndodhja e saj - në një enklavë në pronësi amerikane në ishullin e Karaibeve - turbulloi ujërat lidhur me zbatueshmërinë e së drejtës ndërkombëtare dhe rregullat e luftës për trajtimin e të burgosurve. Dhe me kalimin e viteve, burgut i doli reputacioni si vend abuzimi dhe padrejtësie jashtë kontrollit të shtetit ligjor.

Në pritje të Bidenit

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka premtuar mbylljen e objektit, por raportet për ndërtimin e një salle të re, sekrete gjyqi në Guantanamo kanë përkeqësuar shqetësimet se administrata mund të mos e ketë seriozisht për mbylljen e tij. Ka pasur vetëm një transferim jashtë burgut gjatë vitit të kaluar, kujton “Al-Jazeera”.

Objekti që dikur strehonte rreth 800 të burgosur tani ka 39 syresh, me 13 të liruar tashmë për transferim. Shumica janë mbajtur pa akuza zyrtare.

“Al-Jazeera” ka folur me avokatët e të drejtave të njeriut dhe civile mbi trashëgiminë e Guantanamos.

Ish-i burgosuri Mansoor Adayfi flet nga përvoja personale kur thotë se Guantanamo përfaqëson "20 vjet padrejtësi, torturë, abuzim, paligjshmëri dhe shtypje".

Adayfi kaloi më shumë se 14 vjet në burg, ku duroi tortura, poshtërime dhe abuzime. Jemenasi Adayfi po kryente kërkime në Afganistan kur – në moshën 18-vjeçare – u rrëmbye nga luftëtarët afganë dhe iu dorëzua CIA-s me akuzat se ishte një rekrutues i vjetër i “Al-Qaedas”.

Adayfi ngulmoi në pafajësinë e tij gjatë gjithë kalvarit, të cilin e përshkruan si çnjerëzor, dhe u lirua në vitin 2016 në Serbi, ku ai vazhdon të kërkojë mbylljen e Guantanamos dhe sigurimin e drejtësisë për të burgosurit.

“Guantanamo është një nga shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut në shekullin e 21-të”, i tha “Al Jazeeras” në një intervistë telefonike. Ai vitin e kaluar publikoi kujtimet e titulluara “Mos na harro këtu: Humbur dhe gjetur në Guantanamo”.

“Dhe gjithashtu është abuzive për sistemin e drejtësisë amerikane, për popullin amerikan. Guantanamo nuk ka arritur të vërë drejtësi për askënd – as për viktimat e 11 shtatorit, as për amerikanët, as për të burgosurit”.

Image
Aktivistët demonstrojnë në janarin e vitit të kaluar para Shtëpisë së Bardhë kundër burgut ushtarak në Gjirin e Guantanamos

Drejtësia nis me mbylljen

Për përvojën e tij me torturën dhe paraburgimin e padrejtë, Adayfi tha se rruga drejt drejtësisë do të fillonte me mbylljen e Guantanamos dhe dhënien fund të fshehtësisë rreth abuzimeve dhe procedurave ligjore që ndodhën atje, ka theksuar ai për “Al-Jazeeran”.

“Drejtësia do të thotë dëmshpërblim, do të thotë njohje, do të thotë të kërkosh falje”, tha ai.

Hina Shamsi, drejtoreshë e Projektit të Sigurisë Kombëtare në Unionin Amerikan të Lirive Civile (ACLU) dhe kritike e shquar e shkeljeve të të drejtave civile që shoqëruan "luftën kundër terrorit", e quajti burgun e Gjirit të Guantanamos, "dështim ligjor, moral dhe etik".

“Është një simbol global i padrejtësisë, torturës dhe shpërfilljes së shtetit ligjor amerikan”, tha Shamsi për “Al-Jazeera”, përmes emailit, duke shtuar se Biden duhet të mbahet përgjegjës për premtimin e fushatës për mbylljen e Guantanamos.

“Të burgosurit që mbahen në paraburgim pa afat pa akuzë duhet të transferohen, duke filluar nga ata që janë liruar për transferim prej vitesh. Administrata Biden duhet të shfuqizojë komisionet ushtarake dhe antikushtetues, duke zbatuar marrëveshjet për pranimin e fajësisë që do të përbënin torturim të të pandehurve nga qeveria jonë, duke siguruar një masë transparence dhe drejtësie, siç kanë kërkuar anëtarët e familjes së viktimave të 11 Shtatorit”, tha ajo.

"Nëse presidenti Biden është serioz në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, barazisë racore dhe drejtësisë, ai duhet të marrë masa duke mbyllur përfundimisht Guantanamon”.

Hezitimi nuk ka justifikim

Daphne Eviatar, drejtoreshë e Programit amerikan të sigurisë për të drejtat e njeriut në “Amnesty International”, tha se fakti që Guantanamo ka qenë i hapur për 20 vjet është "trashëgimi shumë shqetësuese".

“Derisa Shtetet e Bashkuara të jenë të gatshme të mbyllin burgun, t'i transferojnë të burgosurit në vende ku do të respektohen të drejtat e tyre njerëzore dhe të pranojnë e të ofrojnë dëmshpërblime për abuzimet që ndodhën në Guantanamo, trashëgimia e burgut të SHBA-së në Gjirin e Guantanamos do të vazhdojë të jetë një nga abuzimet flagrante të të drejtave të njeriut, racizmit dhe islamofobisë dhe mosndëshkimit për torturat”, tha Eviatar për “Al-Jazeera” në një email.

Eviatar tha se rruga për mbylljen e burgut është "e qartë" dhe "jo veçanërisht e vështirë" - lirimi i të burgosurve të shfajësuar, gjykimi i të akuzuarve për "krime të njohura ndërkombëtare" në gjykatat federale të SHBA-së, të krijuara rregullisht dhe transferimi i të burgosurve që nuk kanë u akuzuan në vende të tjera ku nuk do të përballeshin me shkelje të të drejtave.

"Presidenti Biden nuk ka asnjë justifikim për të mos rrahur këtë rrugë”, tha ajo.

Yumna Rizvi, analiste politikash në Qendrën për Viktimat e Torturës, grup mbrojtës për të mbijetuarit e torturës, duke përfshirë të burgosurit e Guantanamos, tha për “AL-Jazeran” se trashëgimia e burgut është "e errët dhe e përhumbur".

“Shumë nga burrat myslimanë të ngujuar pas hekurave të tij u janë nënshtruar shkeljeve të papërshkrueshme të të drejtave të njeriut nga Shtetet e Bashkuara dhe kanë pësuar dëme të pariparueshme”, tha Rizvi për “Al-Jazeeran” në përgjigjen me email.

“Guantanamo nxjerr në pah hipokrizinë dhe arrogancën e SHBA-së, e cila qëllimisht ia ka kthyer shpinën shtetit të së drejtës, duke krijuar një sistem ligjor të rremë ku mbretërojnë mosndëshkimi, padrejtësia dhe shpërfillja e të drejtave të njeriut”.

“Njollë për Amerikën”

Ndërkaq Robert McCaw, drejtor i çështjeve qeveritare në Këshillin për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (CAIR), grup i të drejtave civile, ka thënë se burgu shpërfaq paragjykimet antimyslimane të politikave të qeverisë amerikane në epokën pas 11 Shtatorit.

“Burgu i sigurisë më të lartë që mban qeveria e Shteteve të Bashkuara është në Guantanamo. Dhe është projektuar për të strehuar vetëm burra myslimanë që mbahen pa akuzë nën dyshimin se mbështesin terrorizmin", tha McCaw.

“Ndikimi psikologjik i një burgu të tillë të projektuar për të mbajtur burrat myslimanë për një kohë të pacaktuar dhe për t'ua mohuar të drejtat, tregon statusin e myslimanëve në sistemin ligjor të SHBA-së dhe sa larg është e gatshme të shkojë qeveria për t’i mbajtur myslimanët në paraburgim në SHBA”, tha McCaw. "Dhe kështu, për sa kohë që ky burg mbetet, nuk është vetëm njollë në të dhënat e të drejtave të njeriut të kombit tonë, por edhe dëshmi e trajtimit të ndryshëm që të dyshuarit myslimanë kanë në sistemin gjyqësor të SHBA-së”.