Dy punonjës të “Save the Children”, të zhdukur në Birmaninë lindore pas një sulmi vdekjeprurës ndaj civilëve e i cili dyshohet të jetë kryer nga ushtarët e Qeverisë, janë gjetur të vdekur, ka bërë të ditur të martën organizata jofitimprurëse.
"Me pikëllim të thellë konfirmojmë se dy nga stafi ynë janë në mesin e trupave të djegur, të gjetur në Birmani, pas një sulmi nga ushtria në prag të Krishtlindjeve. Të dy baballarët e rinj që punojnë në arsimin për fëmijët”, bëri të ditur organizata në një deklaratë të postuar në mediat sociale.
"Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të mblidhet dhe të ndërmarrë veprime për t'i mbajtur përgjegjës ata që janë përgjegjës”, thuhet më tej në deklaratë.
Të premten, të paktën 30 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë dhe "eshtrat e tyre të djegur" u zbuluan pranë qytetit Hpruso në shtetin Kayah, i cili njihet gjithashtu si Karenni, sipas një grupi lokal të të drejtave të njeriut.
Ushtria në pushtet e Biramanisë nuk ka komentuar mbi incidentin.
Media shtetërore raportoi se ushtarët kishin qëlluar dhe vrarë një numër të paspecifikuar "terroristësh me armë" nga forcat që luftonin kundër qeverisë ushtarake. Mediat shtetërore nuk thanë asgjë për viktimat civile.
Birmania ka qenë në trazira që kur junta ushtarake përmbysi qeverinë e mëparshme të zgjedhur, dhe arrestoi shumë zyrtarë të lartë - duke përfshirë udhëheqësen e rrëzuar civile Aung San Suu Kyi, e cila u burgos në fillim të muajit shkurt.