Botë

Pandemia e gënjeshtrave

Foto të ndryshme të postuara nëpër aplikacionet e mesazheve dhe atë në stilin bardhezi që duken si fotografi të personave të kërkuar.

“Hebrenjtë i kanë borxh COVID-it si krejt ata në Hollywood”, thuhej në tekstin që shoqëronte fotografinë. “Zgjohuni o njerëz”.

Postimi është veç një nga mijëra që supremacistët e racës së bardhë dhe ekstremistët e krahut të djathtë janë duke i përdorur për ta zgjeruar ndikimin dhe për të joshur përkrahës të rinj në platformën sociale “Telegram”, thuhet në një studim që ka hulumtuar gjysmë milioni komente në faqet e quajtura kanale në “Telegram”.

Këto faqe janë kategorizuar si pjesë të ekstremit të djathtë që prej janarit të vitit 2020 deri në qershorin e vitit 2021.

Taktika ka qenë e suksesshme: Nëntë nga 10 postimet që kanë qenë cak të studimeve, kanë pasur përmbajtje keqinformuese rreth sigurisë së vaksinave ose për kompanitë farmaceutike që i prodhojnë ato.

Një kanal në “Telegram” ka pasur rritje ekstreme të abonimeve, pasi nisi teoritë konspirative për COVID-19.

“COVID-19 ka shërbyer si katalizator i radikalizmit”, thotë autori i studimit. “Ua mundëson teoricienëve ose ekstremistëve që të krijojnë rrëfime, duke na bërë ne kundër tyre, të mirën kundër të keqes”.

Të tjera postime zbehnin seriozitetin e koronavirusit, ose përkrahnin teoritë konspirative rreth origjinës së pandemisë. Shumë postime përmbanin gjuhë të urrejtjes ndaj hebrenjve, aziatikëve, grave ose grupeve të tjera.

Postime të tilla janë hequr nga “Facebooku” dhe “Twitteri”, por në “Telegram” vlojnë.

Telegrami me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe ka përdorues të ndryshëm nga e gjithë bota, ama, është bërë lodër e preferuar për ekstremistët e djathtë, sepse platformës i mungon kontrolli si në “Facebook”, “Twitter” dhe rrjete të tjera sociale.

“Telegrami” ka deklaruar se mirëpret shprehjen e ideve, përfshirë edhe ato për të cilat nuk pajtohen krejt njerëzit. Në sqarim, aplikacioni ka thënë se monitorohet aktiviteti me qëllim që të fshihet përmbajtja e dhunshme.

Analistët besojnë se njerëzit prapa këtyre postimeve tentojnë të shfrytëzojnë frikën dhe panikun nga COVID-19, për të tërhequr pas vetes përkrahës të rinj, të cilët do t’u shërbenin edhe pas pandemisë.

Në fakt, disa prej postimeve konspirative për COVID-19, janë një thirrje e hapur për anëtarësim.

Hulumtuesit kanë zbuluar se grupet e krahut të djathtë në “Telegram” po punojnë së bashku.

Të dhënat janë shumë shqetësuese, për shkak të numrit të madh të incidenteve që tregojnë se disa ekstremistë nga retorika online kanë kaluar në aksione të vërteta.

Pandemia dhe trazirat që ajo ka shkaktuar janë lidhur me një valë ngacmimesh dhe sulmesh ndaj aziatiko-amerikanëve.

Ngjarje të tilla si pandemia i lënë shumë njerëz të ndihen të shqetësuar dhe të kërkojnë shpjegime, vlerësojnë ekspertët. Teoritë e konspiracionit mund të ofrojnë një ndjenjë artificiale të kontrollit, thonë ata.

Lufta ndaj ekstremizmit në internet ka sfiduar kompanitë e teknologjisë që thonë se duhet ta balancojnë mbrojtjen e fjalës së lirë me heqjen e gjuhës së urrejtjes.

Ata gjithashtu duhet të përballen me taktika gjithnjë e më të sofistikuara nga grupet që kanë mësuar t’i shmangin rregullat e platformës.