Më shumë se 5 mijë njerëz kanë marrë pjesë në protestën kundër vaksinës të organizuar të shtunën në qendër të Londrës.
Marshi i quajtur “të bashkuar për liri” u përshkallëzua pasi dhjetëra protestues u përleshën me policinë në afërsi të Parlamentit dhe Kryeministrisë.
Përplasja ndodhi në ditën kur Britania konfirmoi më shumë se 15 mijë raste me variantin Omicron të koronavirusit.
Ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar Qeverinë britanike se duhet të marrë masat për të parandaluar përshkallëzimin e situatës së pandemisë.
Britania dhe shtetet e tjera kanë përshpejtuar fushatën e vaksinimit me dozat përforcuese kur të dhënat treguan se dy dozat e vaksinës janë më pak efektive ndaj variantit Omicron.
Qendrat tregtare, katedralet dhe stadiumet e futbollit në Britani janë shndërruar në qendra të mëdha të vaksinimit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka raportuar të shtunën se varianti Omicron është konfirmuar në 89 shtete të botës.
Deri më tani nuk dihet shumë për variantin Omicron, përfshirë se sa efektive janë vaksinat kundër tij dhe nëse ky variant përkeqëson gjendjen shëndetësore të të infektuarve.