Botë

Mali i Zi regjistron pesë raste me Omicron

Descriptive Text

Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi konfirmoi zyrtarisht pesë raste të llojit Omicron të koronavirusit.

Të gjithë të infektuarit me Omicron janë në gjendje shëndetësore të përgjithshme të mirë kanë simptoma të lehta, thuhet në njoftim. Dyshimi i parë u konstatua në fillim të dhjetorit, e pas kësaj të gjitha kontaktet e tyre u vendosën në izolim.

Në 24 orët e fundit në Mal të Zi janë konfirmuar 163 raste të reja me koronavirus dhe një person ka vdekur si pasojë e virusit, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik, por nuk janë raste të rralla kur shënohet numër i lartë i personave që kanë humbur jetën, e ndër ta edhe mosha të reja.

Në Mal të Zi janë gjithsej 1786 raste aktive me COVID-19, më së shumti në kryeqytetin Podgoricë me 674. Ne Qendrën Spitalore janë të shtruar 65 paciente ndërkohë që në gjendje të rëndë janë 22 prej tyre.

Mbi 58,4 për qind e popullatës janë të vaksinuar me dozën e dytë të vaksinës ndërsa rreth 66.000 qytetarë janë imunizuar me dozën e tretë, kryesisht me vaksinën Pfizer. Ministria e Shëndetësisë e Malit të Zi paralajmëroi gjithashtu kontrolle të intensifikuara të zbatimit të masave, veçanërisht në qendrat turistike dimërore, qendrat tregtare dhe objektet e hotelerisë. Autoritet kontrollojnë posedimin e certifikatës për COVID në objekte hoteliere dhe në vende të tjera, ku mblidhen shumë njerëz. Inspeksionet kontrollojnë edhe shkeljen e masave të përcaktuara nga Instituti i Shëndetit Publik për organizimin e dasmave dhe festimeve të tjera private.

Në vendet tjera të rajonit ende nuk ka të konfirmuar raste me variantin “Omicron”./DW/