Botë

Gratë, vendimtare në zgjedhjet kiliane

Kësaj radhe, gratë kiliane, të dala nga diktatura, votuan në numër më të madh sesa meshkujt, dhe favorizuan kandidatët konservatorë, për shkak të frikës së rikthimit të trazirave të para gjatë sundimit të presidentit socialist Salvador Allende në vitet 1970-1973, periudhë gjatë së cilës gratë ngecën në kuzhinat e tyre duke protestuar ndaj mungesës së ushqimit

Muajin e kaluar, kur kilianët shkuan në votime, Elizabeth Padilla, sikurse shumica e njerëzve me të drejtë vote në Kili, qëndroi në shtëpi ngase nuk pëlqente asnjërin kandidat. Ditëve të fundit, derisa kilianët po përgatiten për balotazhin në mes ekstremit të djathtë, José Antonio Kast, dhe të majtit, Gabriel Boric, artistja 45-vjeçare, e quajtur Padilla, ka varur posterë fushate në lagjen e saj në qendër të qytetit Santiago dhe ka paralajmëruar të tjerët për atë që ajo e sheh si një gjë serioze dhe si kërcënim për gratë nëse Kast fiton.

“Jemi katër motra dhe kam tri mbesa. Jam shumë e shqetësuar rreth asaj që mund të ndodhë”, ka thënë ajo, e cila ka kaluar shumë net pa gjumë duke menduar për një rikthim të mundshëm të “fashizmit” në vendin e saj.

Është diçka që mendohet gjerësisht nga gratë kiliane, veçanërisht nga profesionistet e reja, të cilat janë të vëmendshme rreth garës së ngushtë që po ndodh midis ekstremeve politike që luftojnë për të ardhmen e Kilit.

Numër i madh

Kast, themeluesi 55-vjeçar i Partisë së re Republikane, siguroi 28% të votave më 21 nëntor, duke lënë pas Boricin me dy pikë. Historikisht, çdo kandidat në Kili që ka kryesuar në raundin e parë të votimit, gjithashtu ka vazhduar të mbizotërojë në balotazh.
Kësaj radhe, gratë kiliane, të dala nga diktatura, votuan në numër më të madh sesa meshkujt, dhe favorizuan kandidatët konservatorë, për shkak të frikës së rikthimit të trazirave të para gjatë sundimit të presidentit socialist, Salvador Allende, në vitet 1970-1973, periudhë gjatë së cilës, gratë ngecën në kuzhinat e tyre duke protestuar ndaj mungesës së ushqimit.
Mirëpo, kjo pabarazi gjinore u mbyll papritur me zgjedhjet në vitin 2005 ku presidente u zgjodh Michelle Bachelet. Ndërsa, kësaj radhe, disa sondazhe po tregojnë se gratë po përkrahin Boricin, i cili po shfrytëzon deklaratat e Kast rreth komenteve seksiste dhe synimeve të tjera të tij që shihen jashtë hapit me normat shoqërore që po ndryshojnë me shpejtësi.
“Mos votoni për nazistët”, bërtitën disa mijëra gra në qendër të Santiagos, në një tubim të zhurmshëm feminist kundër Kastit, djalit të një emigranti gjerman, i cili së fundmi u zbulua se ishte një anëtar i partisë politike të Adolf Hitlerit.
Giovanna Roa, e pranishme në atë tubim, tha se një fitore e Kastit do të ishte një pengesë e madhe për gratë.
“Kast dëshiron të na kthejë në një vend që tashmë e kemi lënë pas, ai dëshiron që ne të jemi jashtë arenës publike”, tha 34-vjeçari Roa.

Shtet konservator

Shteti i Kilit, pavarësisht reputacionit të tij si një nga vendet më konservatore shoqërore të Amerikës Latine, ka pasur gjithnjë lëvizje feministe, gjë që ka sjellë përparime të mëdha duke miratuar ligje kundër diskriminimit në bazë të orientimit seksual, duke hequr kufizimet për abortin dhe duke rritur pjesëmarrjen e grave në politikë. Një gjë që karakterizon këto lëvizje është himni feminist i quajtur “A Rapist in Your Path”, i cili po përdoret nga aktivistë në mbarë botën për ta denoncuar dhunën ndaj grave.
Sondazhet tregojnë se Kasti ka bërë hapa me votuesit e klasës së mesme dhe rurale, të cilët kanë frikë se Borici do të prishte dekada të stabilitetit ekonomik dhe politik.
Kast vishte kapelën “Make America Great Again” të Donald Trumpit në intervista televizive dhe kohët e fundit ka filluar të tërhiqet nga disa prej pikëpamjeve të tij të së kaluarës rreth mbështetjes së grave.
Por, ballafaqimi me bllokun kyç të votimit u bë më i vështire kur u shfaq një video disa ditë pas raundit të parë, në të cilën një mbështetës i këtij blloku, dëgjohej duke tallur të drejtat e votimit për gratë nëse rezultati përfundimtar është se gratë “skizofrenike” vazhdojnë të mbështesin partitë që mirëpresin emigrantët të cilët shihen si kërcënim ngase ata përdhunojnë gratë kur shkojnë të vrapojnë në park.
Si ligjvënës në vitin 2004, Kast votoi kundër legjislacionit që legalizon divorcin, që të cilën e ripohoi deri në vitin 2010.
Më pas, në një gazetë të vitit 2018, ai sulmoi aktoren më të famshme të Kilit, Daniela Vega, duke iu referuar fitueses së çmimit “A Fantastic Woman” si burrë. Tutje, ai kundërshtoi një projektligj që lejonte individët të zgjedhin identitetin e tyre gjinor në dokumentet ligjore. Por tani, ai thotë se nuk do të bënte të njëjtën gjë më gjatë një debati televiziv, duke shtuar se do ta respektonte legjislacionin ekzistues.

Premtimet në fushatë

Platforma e fushatës që ai prezantoi përpara raundit të parë të votimit kundërshton martesën e të njëjtit seks, gjë të cilën Kongresi i Kilit e miratoi këtë muaj me një shumicë të gjerë. Pastaj, ai zotohet të forcojë ligjet tashmë kufizuese të Kilit për abortin, i cili lejon një grua të ndërpresë shtatzëninë vetëm në rast të përdhunimit kur fetusi nuk mund të mbijetojë ose shëndeti i nënës është në rrezik. Dokumenti i kësaj platforme prej 204 faqesh thekson politikat me fokus “familjen” me rregullat rreth martesës, të pasurit fëmijë dhe subvencionet e kujdesit shëndetësor për gratë e martuara. Platforma gjithashtu bën thirrje për eliminimin e Ministrisë së Grave.
Ndërkaq, këtë muaj ai deklaroi: “Dua të rrëfej se kemi bërë një gabim” i rrethuar nga mbështetëse femra, në një tubim të fushatës duke theksuar politikat që ai tha se do të promovonin gratë. “Ne kërkojmë falje. Ne ndryshuam dhe është e qartë se jo vetëm që do të mbajmë Ministrinë e Gruas, por edhe do ta forcojmë atë”.
Në anën tjetër, 35-vjeçari Boric, duket si kandidati i parë i “zgjuar” presidencial i Kilit. Ai iu drejtua mbështetësve duke përdorur terma neutralë gjinorë dhe që nuk gjenden në gramatikën tradicionale spanjolle. Partnerja e tij e pamartuar, një aktiviste, tha se ajo nuk është e interesuar të shërbejë si zonja e parë, një rol tradicional që ajo beson se ka kaluar tashmë. Ndryshe nga Kast, Boric refuzoi të shfaqej në programin “Bad Boys” të organizuar nga kandidati tjetër presidencial, Franco Parisi, i cili mori më shumë se 13% të votave në raundin e parë. Përmes këtij refuzimi, Boric përmendi borxhin e madh të Parisit për mbështetjen e fëmijëve ndaj ish-bashkëshortes së tij. “Megjithatë, unë besoj se njeriu duhet të udhëhiqet nga parimet si në politikë ashtu edhe në jetën personale”, tha ai. Ndërkaq, sondazhet e fundit tregojnë se gratë dhe votuesit e rinj në masë të madhe favorizojnë Boricin.
“Në këtë garë të ngushtë, pjesëmarrja e grave të reja në votim mund të bëjë një ndryshim të madh”, ka thënë Marcela Rios, politikane në Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kili. Por, jashtë kryeqytetit, rolet tradicionale gjinore kanë ndryshuar më pak, është ende e paqartë se sa e thellë është mbështetja për Boricin.

Ndryshimi i qëndrimeve

Për më shumë, Boric ka marrë kritika për sjelljen e tij ndaj grave në të kaluarën. Në korrik, një aktiviste denoncoi ato që ajo tha se ishin “akte dhune” kur Boric drejtonte sindikatat e studentëve në Universitetin e Kilit. Është e paqartë për këtë aktiviste se çfarë ndodhi që shtyri Boricin të kërkoj falje ndaj një gruaje e cila e quajti atë “derr ngacmues”.
Në anën tjetër, nëna e Boricit thotë se ajo është pjesërisht fajtore për çdo sjellje të tillë të djalit të saj. “E rrita atë kryesisht me një mentalitet seksist, sepse kështu jam rritur edhe vetë”, ka thënë Maria Soledad Font në një intervistë në shtëpinë e saj në Kili. Por me kalimin e kohës, pasi Boric shkoi në Santiago për kolegj, ai zgjeroi horizontet e tij dhe filloi të ndryshonte nga “Gabrieli i vjetër” siç e quante ajo.
“Ai ia bëri synim vetës të dëgjonte dhe të kuptonte,” ka thënë Font, duke treguar dhomën e gjumit të fëmijërisë së djalit të saj – të mbushur me fanella futbolli, një fotografi të liderit gueril kubanez Ernesto “Che” Guevara dhe parulla nga Revolucioni Francez. “Kjo është koha kur ai filloi të shihte se burrat dhe gratë janë të barabartë në vlera dhe talent”, ka thënë ajo.

Përktheu: Leutrime Rekaliu