Botë

OKB: Rreth 13 milionë njerëz të prekur nga stuhia në Filipine

Një ishull i njohur turistik në Filipine, Siargao, është në mesin e zonave më të shkatërruara nga një tajfun i fuqishëm që preku vendin.

Tajfuni Rai goditi ishullin Siargao, ndërsa erërat arrinin shpejtësi deri në 195 kilometra në orë.

Në provincën Surigao del Norte në perëndim të ishullit, prefekti i qytetit, Ernesto Matugas, i përshkroi pasojat e tajfunit si “të rënda”.

“Gjithçka është dëmtuar, çatitë janë rrënuar dhe qasja në rrugë është e bllokuar nga rrëshqitja e dheut”, tha Matugas.

Stuhia tropikale shkatërroi shumë shtëpi duke detyruar zhvendosjen e mijëra banorëve. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara(OKB), vlerësohet se rreth 13 milionë njerëz u prekën nga stuhia. Deri më tani është konfirmuar vetëm një i vdekur si pasojë e tajfunit.

Ndonëse terminali kryesor i aeroportit në ishull është dëmtuar, pista tashmë është pastruar për të nisur operacionet e shpëtimit.

Shteti i Filipineve shpesh goditet nga stuhitë e fuqishme, mesatarisht nga 20 sosh në vit.

Tajfuni Goni, i cili preku vendin në nëntor të vitit 2020, ishte në mesin e më të fuqishmëve në Filipine viteve të fundit./TCH/