Botë

Trumpi shan Netanyahun pasi ky i fundit i uroi “herët” fitoren Bidenit

Ish-presidenti amerikan Donald Trump kritikoi aleatin e tij të ngushtë, Benjamin Netanyahun, në një seri të re intervistash, duke thënë se ai ndihej i tradhtuar nga thirrja e kryeministrit të atëhershëm të Izraelit drejtuar Joe Bidenit, duke e uruar këtë të fundit për fitimin e presidencës.

"Ishte herët. Në rregull? Le ta themi kështu - ai e uroi atë shumë herët. Më herët se shumica e liderëve botërorë. Unë nuk kam folur me të që atëherë. Le të p*****", i tha Trump gazetarit izraelit Barak Ravid gjatë një interviste të prillit e cila u publikua nga Axios të premten.

Duke diskutuar vendimin e tij për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, duke përmbysur dekada të politikës së SHBA-së dhe konsensusit ndërkombëtar, Trumpi shpalosi pse ndihej aq i hidhëruar.

"Nuk kishte asnjë që bëri më shumë për Netanyahun se unë. Nuk kishte asnjë që bëri për Izraelin më shumë se unë. Dhe personi i parë që vrapoi për të përshëndetur Joe Bidenin ishte Netanyahu. Dhe jo vetëm që e uroi atë, ai e bëri atë në një video. Nëse shikoni liderët e vendeve të tjera - si Brazili - ai priti me muaj. Putin. Shumë liderë të tjerë. Meksika. Të gjithë ata gjithashtu mendonin se zgjedhjet kishin mbaruar. Por edhe ata po prisnin. Askush nuk bëri më shumë se unë për Bibin. Ne u dhamë shumë para dhe u dhamë ushtarë. Ne bëmë gjithçka", përfundoi Trump.

Netanyahu postoi urimet e tij në Twitter në një video më 8 nëntor 2020, një ditë pasi gara për president po shkonte në favor të Bidenit.

Netanyahu në atë postim shkroi se ai dhe Bideni kanë pasur një marrëdhënie personale "të gjatë dhe të ngrohtë" për gati 40 vjet dhe e sheh atë si "një mik të madh të Izraelit" dhe mezi pret të punojnë së bashku.